Arbëri

Murtezaj do t’i drejtohet drejtësisë “pas shkarkimit pa paralajmërim”

Drejtori i shkarkuar i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media të shtunën ka treguar se njoftimin për shkarkim e mori mbrëmë në orën 19:00, disa orë pasi veç ishte larguar nga posti. 

Ai ka thënë se nuk është njoftuar paraprakisht nga askush.

“Kam pranuar vendimin mbrëmë në orën 19, pa pasur asnjë kontakt paraprak për të biseduar për këtë çështje dhe mbetet për t’u diskutuar në organet e drejtësisë”, tha Murtezaj, raporton KOHA.

Siç shprehet Murtezaj, “një nga objektivat ka qenë reformimi i strukturës organizative”.

“Ka qenë rekomandim i FMN-së. Kemi zbatuar në plotni ligjin dhe e kemi miratuar në Administrata Tatimore”, thotë ai.

Murtezaj madje në konferencën për media, ke hedhur dyshime për grupe kriminale të përfshira në këtë çështje.

“Kemi pasur një dyshim për një rrjet kriminal me abuzim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit me miliona euro gjatë periudhës së vitit 2016. Kemi mbi 7 mijë e 200 biznese të cilat për tri vjet, 2016-2019 kanë realizuar mbi 3 miliardë euro dhe nuk është paguar tatim. Për këtë ka qenë në dijeni menaxhmenti i kaluar. Ashtu siç i kemi adresuar në kohë, ne nuk do të heshtim edhe më tutje”, shprehet tutje Murtezaj.

Murtezaj ka folur edhe për “vjetërsim të borxheve”.

“Lejimi i vjetërsimit të borxheve. Miliona euro borxhe janë vjetërsuar duke mos marrë veprime. Janë lejuar të fshihen miliona euro borxhe pa dhënë përgjegjësi. Kemi dëshmi që rastet për një thes kasht njeriu shkon në burg dhe për miliona euro të pambledhura nga ATK duke qenë në dijeni, një shtet i mirëfilltë këtë nuk e lejon”, shprehet ai.