Arbëri

Smaka: Deklarata e Lajçakut shqetësuese, erdhi në mënyrë urdhëruese

Njohësi i çështjeve juridike dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, ka kritikuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se “nuk ia ndjenë se duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës”.

Kjo deklaratë e tij erdhi pas vizitës së emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Lajçaku, gjatë qëndrimit në Serbi, tha se “Kushtetuta nuk është Bibël dhe se Kosova duhet ta ndryshojë atë për Asociacionin”.

“Deklaratë tipike e një përfaqësuesi të një shteti armiqësor të çështjeve shqiptare, në përgjithësi, e kosovare veçanti, Serbisë”, tha Smaka në Express Intervistën në KTV.

“Mua më brengosi deklarata e Lajçakut i cili e thotë në mënyrë nonsharlante që Kushtetuta nuk është Bibël dhe duhet ndryshuar. Çdo kushtetutë është akt juridik i plotësueshëm e ndryshueshëm, e tillë është. Akcenti iu ka adresua ndryshimit të bazës juridike për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Smaka, tutje tha se “Është irrituese dhe shqetësuese sepse vjen shprehimisht në mënyrë urdhëruese”.

“Këtu s’ka interpretim tjetër, në mënyrë të theksuar, sipas tij, kjo duhet të bëhet dhe Kushtetutën duhet t‘ia përshtatni kërkesave politike, ditore”, tha Smaka.

Sipas Smakës, në këtë rast, presioni është i paevitueshëm, përderisa “ai e thotë në mënyrë jodiplomatike”.

“E tha vrazhdë. Presione do të ketë. Apeloj që përfaqësuesit politikë, shtetërorë të jenë konsistentë dhe seriozë. Të mos bëjnë veprime të pamatura. Republika e Kosovës është shtet unik – demokratik e sovran”, tha Smaka.

Smaka në fund ka bërë thirrje që në dialog duhet të shkohet vetëm për njohje reciproke.