Arbëri

Jasharaj vlerëson se situata me COVID-19 në shkolla “nuk është shumë alarmante”

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, po vlerëson se situata me COVID-19 në shkollat e Kosovës “nuk është shumë alarmante”, pavarësisht se në 19 komuna të vendit janë raportuar 54 mësimdhënës të infektuar e 22 nxënës.

Në një intervistë në Interaktiv të KOHËS, Jasharaj ka thënë se numrat po vijnë e po shtohen dhe se frika e sindikatës është edhe bazuar në shifrat rekorde që po regjistrohen në vendet në rajon dhe Evropë.

“Situata për momentin, nuk është shumë alarmante, dhe është në suaza të mundshme edhe pse gradualisht numri po vjen e po shtohet. Frika jonë është se lajme po na vijnë edhe nga Evropa e shtetet përreth për një kthim të COVID-19 dhe shtim të numrit të të prekurve, në përgjithësi te popullata. Kjo na bën të frikësohemi e urojmë të mos vije te ne. Ajo që mund të themi është se aty ku kemi prekje me COVID-19 qoftë te nxënësit qoftë te mësimdhënësit Task-Forcat po marrin forca të menjëhershme dhe klasa, apo eventualisht ndonjë shkollë me numër më të madh të të infektuarve po ndërpritet shkolla, por jo mësimi, ai po vazhdon në formën nga larg”, ka deklaruar ai.

Ditëve të fundit është regjistruar një rritje e rasteve pozitive në vend. Të enjten, në Kosovë janë regjistruar 77 raste të reja pozitive duke e çuar totalin në 16502. Aktualisht numri i rasteve aktive është 1333, ndërsa 650 persona kanë humbur betejën me COVID-19.