Arbëri

Serbi i akuzuar për krime pas luftës punonte në institucione e organizata

I akuzuari për krime lufte, Zoran Gjokiq, për vite me radhë pas luftës ishte pjesë institucioneve dhe organizatave të huaja në Kosovë.

Të martën, mbrojtja e tij gjatë procedimit të provave ka shpalosur ID kartelat e Gjokiqit ku ai ishte i punësuar.

Sipas këtyre dokumenteve, Gjokiqi ishte i punësuar në Ministrinë për Kthim, më pas në OSBE dhe në Zyrën administrative në veri, raporton KOHA.

Mbrojtja e tij, të martën, ka paraqitur një listë të 101 serbëve që ishin në listë si të dyshuar nga Gjykata e Qarkut të Pejës, e ku sipas avokatit Lubomir Pantoviq, nuk gjendej klienti i tij.

Megjithatë, Pantoviqi e ka vënë në dyshimin metodën e identifikimit të klientit të tij të bërë nga policia.

“Unë nuk dua të flas nëse dëshmitarët kanë mundur që ta identifikojnë pas 20 vjetëve, por është problematike që identifikimin e ka bërë policia pa praninë e mbrojtjes. Nuk është mundësuar të marrë pjesë dhe t’ua parashtrojë ndonjë pyetje dëshmitarëve lidhur me identifikimin. Ajo provë siç e kuptojmë ne ligjin nuk është mundur të shqyrtohet pa praninë e mbrojtjes. Nëse i pranoni këto prova atëherë shtrohet pyetja a është shkelur e drejta në mbrojtje adekuate dhe nëse ky është një gjykim i drejtë”, ka thënë Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit Zoran Gjokiq.

Por provat e paraqitura nga mbrojtja e Gjokiqit janë konsideruar si jorelevante dhe të parëndësishme për procesin nga Prokuroria Speciale.

“Provat që janë propozuar duke filluar nga ID kartela, që ka punuar në OSBE deri në 2014 asnjëherë nuk i kemi kontestuar. Nuk kanë relevancë për këtë aktakuzë. Me këto dokumente mbrojtja nuk dha ndonjë arsye se çka na shërbejnë ato. Propozimi i Pantoviqit për administrimin e një shkrese me të cilën pretendon se 101 pjesëtarë kanë qenë të dyshuar për krime lufte asnjëherë ne nuk e vëmë se kanë 101, por jo vetëm. Kjo shkrese në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me akuzën ndaj Gjokiqit. Prokuroria propozon që këtë provë të mos e pranojë si të tillë pasi që nuk lidhet me akuzën ndaj Gjokiqit”, ka pohuar Habibe Salihu, prokurore speciale.

Trupi gjykues, megjithatë, ka vendosur t’i procedojë provat.

Edhe avokati i familjarëve, Kujtim Kërveshi, ka kontestuar vërtetësinë e dokumentit të Gjykatës së Qarkut të Pejës të sjellë nga avokati i të akuzuarit.

“E kuptoj strategjinë e mbrojtjes lidhur me listat e dërguara pa kurrfarë autenticiteti. Nuk ka dokument gjyqësor, i cili nënshkruhet nga gjyqtari e nuk vuloset. Ky dokument ka ndërhyrje, sepse mungon radhitja edhe 22 persona të tjerë pa marrë parasysh në qoftë se këta persona kane qenë të dyshuar kjo nuk përjashton të tjerët. Nuk përfshihet 29 marsi 1999 dhe vrasjen e 4 viktimave. Nuk ekziston ndonjë provë nga këto që e lidhin ndonjë argument se e kaluara e tij më 29 mars ka qenë e pastruar nga veprimet që flet aktakuza”, ka thënë Kujtim Kërveshi, avokat.

Në mungesë të përkthimit të procesverbaleve me kohë, të martën i akuzuari Zoran Gjokiq nuk ka mundur të japë mbrojtjen e tij, derisa ai këtë pritet ta bëjë gjatë fundit të muajit nëntor.

Zoran Gjokiqi i arrestuar vitin e kaluar akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar, i kanë plaçkitur, e dhe i kishin detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kishin vrarë.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov i ka ekzekutuar Zeqirin dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar.

I vrarë kishte mbetur edhe Riza Mamaj, i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.