Arbëri

Deklaratat e LDK-së shihen si ndikim i politikës në sistem të drejtësisë

Politika duhet t’i mbajë duart larg nga sistemi i drejtësisë. Ky ka qenë mesazhi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, një ditë pasi njëri nga partnerët e koalicionit qeverisës drejtoi akuza në drejtim të organeve të ndjekjes.

Ai nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, por ka thënë se janë organet kompetente të cilat duhet ta kryejnë punën e tyre pa kurrfarë ndikimi nga politika, raporton KOHA.

“Ne më të marr mandatin e kemi nja moto të kësaj ministrie dhe mendoj që këtë e ka përqafuar e tërë qeveria që politika duhet t’i mbajë duart larg drejtësisë. Ne kemi organe kompetente që merren me këtë çështje unë nuk kam koment për asnjë deklaratë por mëtoj ta shtyjë përpara këtë që politika duhet t’ i mbajë duart larg drejtësisë. Duart në këtë nuk janë ligamente por edhe në aspektin metaforik si çfarëdo ndikimi që është në drejtësi”, ka thënë Selim Selimi, ministër i Drejtësisë.

Kryetari i saj, Isa Mustafa në një konferencë për media ka thënë se arrestimi i Rugovës dhe mbajtja nën arrest është bërë pa asnjë bazë ligjore.

Për shoqërinë civile, akuzat e Mustafës janë shqetësuese dhe flasin qartë për kapjen që i është bërë sistemit të drejtësisë nga politika.

“Duhet theksuar se ka argumente të mjaftueshme që sistemi i drejtësisë është i kapur por është shqetësuese deklarata e njërit prej partnerëve të koalicionit. Ajo çfarë e bënë këtë me shqetësuese është se së bashku dalin publikisht dhe flasin për këtë. Janë disa aspekte shqetësuese dhe këto deklarime janë të papranueshme e të cilat jemi mësuar t’i kemi të përditshme”, është shprehur Arbëresha Loxha nga GLPS.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës, Besim Kelmendi, në një përgjigje shkurtimisht ka thënë se kjo shoqatë nuk i komenton deklarimet e politikanëve, por se mbështet punën e secilit prokuror që punon me profesionalizëm dhe në mënyrë të pavarur e të paanshme.

“Ne si shoqatë e Prokurorëve nuk i komentojmë deklaratat e politikanëve, mirëpo mbështesim punën e secilit prokuror që punon me profesionalizëm në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, ka pohuar Besim Kelmendi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dënuar arrestimin spektakular të kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, por se, sipas IKD-së, gjithashtu reagimi i LDK-së karshi arrestimit të Rugovës shpërfaq mungesën e vullnetit politik për ta depolitizuar sistemin e drejtësisë.

Sipas këtij instituti, kërkesa që lënda e Rugovës t’i kalojë Prokurorisë Speciale lidhet me kryeprokurorin Blerim Isufaj, i cili në të kaluarën kishte qenë këshilltar i ish-ministres së LDK-së Nekibe Kelmendi dhe kjo flet më së miri për mungesën e vullnetit politik për ta depolitizuar sistemin e drejtësisë.

Dy ditë më parë, Prokuroria Themelore në Pejë arrestoi kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, nën dyshimet se kishte kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “konflikt interesi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.