Arbëri

Kërkohen ndryshime për kthimin e ligjshmërisë në sistemin e drejtësisë

Sistemit prokurorial i duhen ndryshime drastike për ta kthyer ligjshmërinë, besimin e qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve, kanë thënë përfaqësues të shoqërisë civile.

Kërkesa është përsëritur pas denoncimit të ashpër që Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian bënë ndaj procesit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se fatkeqësia e sistemit prokurorial është se udhëhiqet nga persona pa integritet që kanë lidhje me politikën.

“Në anën tjetër, nëse sistemi prokurorial nuk është në gjendje dhe nuk bën ndryshime drastike për të kthyer ligjshmërinë për të zbatuar në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe pa ndikim politik ligjin për këshillin prokurorial të Kosovës, rregulloret e brendshme dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, unë kam frikën se do të vazhdojnë me të vjetrën dhe kritikat nga Ambasada amerikane dhe Bashkimi Evropian nuk do të merren parasysh”, thotë Miftaraj.

Miftaraj shton se, sistemi prokurorial është në këtë gjendje për shkak të dështimit të udhëheqësve të tij: Bahri Hysenit, Aleksandër Lumezit, Arben Ismajlit dhe Sevdije Morinës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara u tërhoq të premten nga procesi, duke e kualifikuar proces të prishur në rrënjë, që i mungon transparenca dhe i ekspozohen gjithnjë e më shumë konfliktit të interesit. Në të njëjtën vijë u pozicionua edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Dyshimet se gara për kryeprokurorë u komprometua ende pa nisur u shfaqën kur tre anëtarët dhanë dorëheqje nga Këshilli Prokurorial. Zejnullah Gashi nga Peja, Dëshirë Jusaj nga Gjakova e Arben Ismajli nga Gjilani paraqitën dorëheqjet e tyre në prag të shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të prokurorive themelore në Kosovë.

KOHA ka raportuar se anëtarët e dorëhequr planifikojnë të konkurrojnë për pozitat e kryeprokurorëve në tri prokurori. Kryeprokurorët zgjidhen nga Këshilli Prokurorial, trup nga i cili janë dorëhequr anëtarët.

Kjo nuk është hera e parë që anëtarët e KPK-së dorëhiqen për t’u bërë kryeprokurorë.