Arbëri

Zemaj njofton se janë ndërprerë tri dasma, thotë janë burim i infeksionit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se janë ndërprerë tri dasma dhe është mbyllur një lokal, si shkak i shkeljes së masave kundër COVID-19.

Përmes rrjetit social Facebook, Zemaj ka njoftuar se dasmat në Gjakovë, Junik dhe Sllatinë janë ndërprerë për shkak se tubimet në to mund të bëhen burim i infeksionit dhe sipas tij, kjo është e palejueshme, transmeton KOHA.

“Tri dasma janë ndërprerë dhe janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të objekteve ku janë mbajtur ato, në Gjakovë, Junik dhe Sllatinë. Ndërsa, në lagjen Arbëria në Prishtinë, është mbyllur një lokal nate dhe po ashtu janë marrë masa edhe ndaj pronarëve të këtij lokali”, ka shkruar ai.

Ministri Zemaj ka potencuar se prioritet mbetet shëndeti i qytetarëve, ndërsa kushdo që bie ndesh me ligjin, do të ketë pasoja.

“Dasmat dhe çdo tubim tjetër që mund të jetë burim i virusit Covid 19, do të pengohet dhe mbyllet në pajtim me rregulloren për pengimin dhe luftimin e virusit. Ligji është shumë i qartë, duhet vetëm të zbatohet”, ka shtuar ai.

Zemaj sot ka mbajtur një konferencë për media me rastin e 100-ditëshit të qeverisjes, ndërsa ka thënë se nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, do të ketë masa të reja.