Arbëri

Ofertën e mundshme të LDK-së, dy ministri e presidentin, PDK-ja e konsideron joserioze

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës nuk e mohojnë mundësinë e përfshirjes në qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti. Përkundër diskutimit tash e një kohë në opinion publik, në partinë e Kadri Veselit thonë se kjo temë nuk është hapur në kryesi dhe se nuk kanë ende qëndrim partiak.

Por, ofertën e mundshme të LDK-së prej dy ministrive dhe postit të presidentit e konsiderojnë jo serioze dhe imagjinuese, përderisa me të njëjtën dallojnë shumë pak për nga numri i deputetëve.

Ndërkohë e vlerësojnë konstruktive qasjen e kreut të LDK-së Isa Mustafa për largim të vijave të kuqe, megjithëse thonë se nuk kanë ekzistuar asnjëherë.

Këto në një intervistë për KosovaPress i ka thënë nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili e komenton edhe lakimin e emrit të tij për president.

Ai thotë se përmendja e tij dhe ambasadores në detyrë në Uashington, Vlora Çitaku për këtë postë është e padrejtë dhe e pamoralshme kur ende është presidenti Hashim Thaçi.

Krahas këtyre, ish zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme për KosovaPress, kritikon kreun e qeverisë Avdullah Hoti për dialogun me Serbinë, punën e tij qeverisëse gjatë këtyre katër muajve dhe mosimplementimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

“As tema e presidentit, e as tema e zgjerimit të qeverisë, as riformatizimit të qeverisë nuk kanë qenë tema të PDK-së në shumë mbledhje që i kemi pasur gjatë kësaj kohe. Asnjëherë nuk ka qenë temë dhe nuk është serioze, dy ministri me 24 deputetë. Sa deputetë i ka LDK-ja në Kuvend, 70? Ata i kanë 20 e diçka dhe nuk e kemi marrë shumë seriozisht. Kjo temë nuk është shtruar asnjëherë në PDK as për mua, as për Vlorën por është më shumë opinion i mediave dhe njerëzve të caktuar. Por në PDK dhe unë e personalisht e shoh të padrejtë dhe pamoralshme kur e kemi presidentin në detyrë, Hashim Thaçi”, ka thënë Hoxha.