Arbëri

Qeverisë i kërkohet përgjegjësi për dështimin me Projektligjin për rimëkëmbje

Është e gjashta herë radhazi që në Kuvendin e Kosovës dështon të miratohet Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike.

Ashtu si herëve të tjera, pjesë e votimit nuk u bënë dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kritika të shumta i janë bërë sërish ekzekutivit për dështimin nga shoqëria civile dhe odat ekonomike, raporton KOHA.

Hulumtuesi për Zhvillim Ekonomik e Social në Institutin GAP, Blend Hasaj, thotë se është e rëndësishme që Qeveria të marrë përgjegjësi kur nisma të tilla ligjore, me rëndësi jetike për qytetarët dhe bizneset, nuk arrijnë të miratohen.

“Shihet se akterët e koalicionit, pra nuk mund të arrijnë një marrëveshje mes tyre dhe vërtet dërgimi i këtij ligji në Kuvend për disa herë radhazi është tani më i pakuptimtë dhe unë besoj që Qeveria do të duhej të shtrinte dorën e bashkëpunimit edhe me partitë opozitare që të mund të arrihet një pikë mirëkuptimi dhe të realizohej një pako, e cila parasheh sugjerime nga të gjitha anët”, ka thënë Hasaj.

KOHA ka dërguar pyetje në Qeveri se a do të bëjë ndryshime në këtë projektligj pas këtyre dështimeve të njëpasnjëshme në mënyrë që ai të miratohet, por ata nuk janë përgjigjur.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike është thënë se ka për qëllim t’u ndihmojë bizneseve pas humbjeve që kanë pësuar nga pandemia COVID-19 dhe kap shumën e 385 milionë eurove.