Arbëri

Sfidat e gazetarëve

Të shumta janë kërkesat e gazetarëve dhe të shoqërisë civile për qasje në dokumente zyrtare në institucione të ndryshme.

Dhe jo gjithherë pjesëtarët e këtyre komuniteteve arrijnë tek një e drejtë që u garantohet me Ligjin për qasje në dokumente publike.

Gjithashtu, jo të gjitha rastet e refuzimeve paraqiten në ndonjë instancë më të lartë.

Për shembull, në Zyrën e Avokatit të Popullit për 9 muaj janë bërë 34 ankesa ndaj institucioneve, të cilat nuk kanë mundësuar qasje në këto dokumente.

Prej tyre 17 janë bërë nga gazetarët e po aq edhe nga anëtarët e shoqërisë civile.

Besnik Krasniqi është njëri nga gazetarët, të cilit i janë refuzuar shumë kërkesa nga institucionet qeveritare, andaj i është drejtuar Avokatit të Popullit.

Njëjtë ka vepruar edhe gazetari i Kallxo.com, Taulant Osmani.

Ai thotë që në rast se u refuzohet e drejta për qasje në dokumente publike, ata pos anekses te Avokati i Popullit do të ankohen edhe në institucione të drejtësisë.

Por gazetarët ballafaqohen edhe me sfida të tjera.

Shumë shpesh institucionet nuk kthejnë përgjigje për temat, të cilat i trajtojnë gazetarët.

Ministria e Punëve të Jashtme është institucioni për të cilin gazetari Fitim Gashi raporton shumë shpesh.

Mirëpo, të rralla janë rastet kur Gashi merr përgjigje nga zyrtarët për parregullsitë brenda Ministrisë.

Në anën tjetër, vështirë për të siguruar informacione kanë edhe gazetarët që raportojnë për punën e Komunës së Prishtinës.

Mehmet Krasniqi thotë se zyrtarët e kryeqytetit kryesisht janë të përgjegjshëm në këtë aspekt mirëpo, sipas tij, ka tema të atilla të cilave Komuna u shmanget.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë aspekt.

Nga ky institucion kanë thënë se nga 59 ankesat e hapura për hetim 38 janë mbyllur, për shkak se pas veprimeve që Avokati i Popullit i ka ndërmarrë është realizuar qasja: 2 raste janë mbyllur, për shkak se nuk ka pasur shkelje apo keqadministrim; 1 rast ka përfunduar me rekomandim të Avokatit të Popullit për palën përgjegjëse, për shkak se është konstatuar se ka pasur shkelje të së drejtës për qasje; në 1 rast është tërhequr ankesa, për shkak se ankuesi ka realizuar qasje në një mënyre tjetër dhe ka hequr dorë nga ankesa; dhe 1 rast është mbyllur për shkak të mosinteresimit të ankuesit.