Arbëri

23 raste pozitive me COVID-19 në shkollat e Prishtinës, Ministria s’tregon numrin në nivel vendi

37 nxënës të një klase në shkollën “Ismail Qemali”, në Prishtinë bashkë me disa mësimdhënës, mëngjesin e së hënës janë testuar për COVID-19.

Kjo meqë dy ditë më parë, një nxënës bashkë me familjen e tij ka rezultuar pozitiv.

Sipas drejtoreshës, Kimete Konjusha-Dida, menjëherë pas kësaj, ka njoftuar shkollën dhe është ftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për marrjen e mostrave të nxënësve e mësimdhënësve.

Konjusha-Dida shpreson që të testuarit të rezultojnë negativë në teste.

“Nëse dalin krejt negativë fillojmë mësimin, nëse jo ata vazhdojnë online. Me atë nxënësin që ka dalë pozitiv, arsimtarët janë të obliguar të punojnë online me të”.

Për gati 1 muaj prej se ka nisur mësimi në shkolla, në Komunën e Prishtinës pozitivë me COVID-19 kanë dalë 13 mësimdhënës, 8 nxënës dhe dy punëtorë teknikë.

Më së shumti raste deri tani janë regjistruar në shkollën “Faik Konica”, me 4 mësimdhënës të infektuar dhe në shkollën “Pavarësia”, 7 nxënës të një klase.

Nëse shtohen rastet me COVID, sipas drejtoreshës së Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet, vendimin për mbyllje të shkollave mund ta marrë Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja në bashkëpunim me taskforcën e Komunës e Ministrinë e Arsimit.

“Nëse 5 për qind e stafit është i infektuar, atëherë mbyllet komplet shkolla dhe kalojnë në skenarin C mësimi online. E di që kjo gjë nuk është e dëshirueshme as për prindërit, por as për nxënësit dhe neve si Drejtori e Arsimit duke pasur parasysh vështirësitë e mësimit online”, ka thënë Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në kryeqytet.

Raste pozitive, sipas Shalës, ka edhe në dy paralelet e ndara të shkollës “Nexhmi Mustafa”, si dhe në shkollën “Hasan Prishtina”, derisa ka ftuar nxënësit që të respektojnë masat e rekomanduara nga IKSHPK.

KOHA ka kërkuar informacione nga MASH-i rreth numrit të rasteve me COVID në të gjitha shkollat e Kosovës, por nuk ka marrë gjatë ditës.

Viti shkollor në nivelin para universitar ka nisur më 14 shtator sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.