Arbëri

Me moton “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”, hapet sezoni turistik vjeshtë-dimër në Kosovë

Me ftohjen e motit, turistëve u është bërë thirrje që t’i vizitojnë zonat malore të Kosovës e Shqipërisë.

“Të ecim shtigjeve të Dardanisë” është motoja që shënoi hapjen e sezonit turistik vjeshtë-dimër.

Përfaqësuesit nga Kosova dhe Shqipëria kanë thënë se rritja e numrit të turistëve do të ndihmonte në rimëkëmbjen e këtij sektori, pas pasojave që ka shkaktuar pandemia, derisa edhe një herë tjetër thanë se turizmin do ta kthejnë në prioritet.

“Duke qenë i vetëdijshëm që sektori i turizmit është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, unë jam përkushtuar të ofroj mbështetje financiare dhe të rris buxhetin në sektorin e turizmit. Ftoj bizneset, si nga vendi ynë dhe jashtë, që të investojnë në fushën e turizmit në të dyja vendet", ka thënë Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Edhe homologu i Krasniqit, Blendi Klosi, ka thënë se duhet të investohet dhe promovohet shumë turizmi i të dyja vendeve në të dy anët e bjeshkëve.

"Kemi folur shpesh se si truizmi në dy vendet duhet të shndërrohet në një industri e cila çdo ditë mund të prodhojë të ardhura dhe mirëqenie. Ne kemi shumë nevojë që të promovojmë një destinacion i cili nuk ka nevojë të ndahet në kufi. Do të doja të falënderoja për punën e jashtëzakonshme të operatorëve kosovarë për të mbajtur turizmin në Shqipëri, edhe në një vit me shumë problematika", ka theksuar Klosi.

Ndërsa kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se pandemia ka goditur turizmin dhe ka shkaktuar pasoja në ekonomi.

“Krijimi i vendeve të punës nuk është vetëm në hotele, kafiteri e restorante. Por edhe në bujqësi, suveniere dhe tregti. Turizmi afekton më së shumti fusha të tjera ekonomike. Si komunë e Prizrenit e kemi shpallur si prioritet fushën e turizmit, por ja që pandemia goditi në fushën që më së shumti patëm nevojë”, u shpreh Haskuka.

Turizmi është një ndër sektorët më të afektuar nga pandemia. Sipas shoqatave të turizmit në Kosovë, rënia e numrit të turistëve ka bërë që të ketë deficit deri në 20 milionë euro në këtë sektor.