Arbëri

Haradinaj u shkruan ambasadorëve të Quintit për gjuhën kërcënuese të ministrave të Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka dënuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, teksa për këtë u ka nisur letër ambasadorëve të vendeve të Quintit në Kosovë e Serbi.

Daçiqi të premten gjatë një interviste televizive, pyeti se “çfarë të bëhet me serbët që u tregojnë shqiptarëve se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”.

Haradinaj-Stublla në letrën e saj u ka kujtuar ambasadorëve krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, ndërsa ka kërkuar nga ata që dënojnë fuqishëm deklaratën e Daçiqit dhe të Aleksandar Vulinit, ministrit serb të Mbrojtjes. Vulin reagoi me fyerje e kërcënim ndaj shqiptarëve pas mbledhjes së qeverive të Kosovës e Shqipërisë, po ashtu të premten.

“Kërcënimet publike nga Ivica Daçiq, ndaj serbëve të cilët tregojnë vendet ku fshihen trupat e viktimave shqiptare të Kosovës, ka shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës e hapje të plagës së vjetër, dhe veçanërisht për familjet e viktimave dhe atyre që ende rezultojnë të zhdukur 21 vjet pas luftës. Për më tepër, thirrja ksenofobe e Aleksandar Vulin ndaj shqiptarëve – në deklaratën e djeshme zyrtare për shtyp – meriton dënimin tuaj të fuqishëm ndaj akteve të turpshme dhe shoviniste të qeverisë së Serbisë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në letër.

Ajo ka treguar se edhe vetë i përket një familje që ishte viktimë e masakrës së Lybeniqit.

Në deklaratën e Daçiqit reagoi edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kurse në të Vulinit, ndër të tjera edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më lejoni të kujtoj se Kosova ende pret drejtësinë për veprimet gjenocidale të Serbisë ndaj më shumë se 13,000 shqiptarëve të Kosovës të vrarë – përfshirë foshnje 18-muajshe, më shumë se 1,300 fëmijëve, më shumë se një milion të dëbuarve nga Kosova, më shumë se 400 masakrave të kryera sistematikisht, më shumë se 20,000 grave të dhunuara dhe shumë pasuri e objekte të tjera kulturore, fetare dhe historike të vjedhura ose shkatërruara!”, ka thënë ndër të tjera kryediplomatja kosovare, Hardinaj-Stublla.