Arbëri

Kajtazi: Pensionistët në probleme të mëdha, ndihma e shtetit duhet të jetë më e madhe

Shaban Kajtazi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, në “Ekspress Intervistën” në KTV ka thënë se pensionistët janë duke u përballur me probleme të mëdha.

Ai ka thënë se dora e shtetit duhet të jetë më madhe për pensionistët.

“Mosha e tretë është në një pozitë paksa më të rëndë, veçmas pas luftës shkaku i rrethanave të krijuara, shumë prej tyre kanë mbetur në vetmi, mungon kujdesi personal. Pensionistët dhe mosha e tretë kërkojnë kujdes më të madh. Dora e shtetit duhet të jetë më e madhe. Nevoja e kujdesi më i madh është dashtë të jetë gjatë kohës së pandemisë. Kujdesi parësor është i qeverisë dhe i shtetit pasi nuk ka mundur t’ia ofrojë moshës së tretë, prej pensionit e masa të tjera, në shërimin e pensionistëve, ato po mungojnë”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka shtuar se mungon sigurimi shëndetësor, mbrojtja shëndetësore kështu që barra më e rëndë i mbet familjes.

“Ofrimi i barnave, disa prej tyre duhet me i ble vet, janë në gjendje shumë të rëndë ekonomike. Kemi kërkuar prej Ministrisë që nëse nuk është në gjendje të krijojë shtëpia të pleqve atëherë të formojë një institucion që do të kujdeset nëpër shtëpia, për të gjithë ata që nuk kanë familje. Ka pasur raste kur i kemi gjetur pas disa javësh të vdekur në banesat a shtëpitë e tyre”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij edhe pandemia ka përkeqësuar situatën e pensionistëve.

“Pandemia ka ndikuar edhe në aspektin e degradimit fizik, por edhe në atë psiqik. Kanë munguar medikamentet, aq fqinjët s’kanë mundur t’u ofrojnë ndihmë. Prandaj ka ndikuar edhe psiqikisht e fizikisht. Në këtë aspekt organizimi do të duhej të ishte më i madh sidomos ndaj kësaj moshe. Kjo moshë do të thosha se ka meritat e veta, e të rinjtë nuk duhet t’i harrojnë. Të gjitha sukseset janë merita të moshës së tretë, por në kohën e fundit duhet të zgjatet dora e shtetit për shkak se edhe familjet kanë pësuar ndryshime. Ata po ballafaqohen me shumë probleme, e të rinjtë po kenë shumë probleme. Ende ka respekt, por ka edhe dukuri se ka filluar të bie rënia e përkujdesit”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka thënë se premtimet e qeveritarëve për pensionistët nuk janë realizuar.

Tutje ai ka folur edhe për paraqitjen e pensionistëve në shtet çdo gjashtë muaj, derisa ka theksuar se kjo do të duhej të rregullohej përmes librit të amzës, pasi sipas tij, kjo rregullon këtë çështje.

E sipas tij do të duhej të paktën të zgjatej ky afat, çdo një vjet.