Arbëri

Bruto Produkti Vendor shënon rënie krahasuar me vitin e kaluar

Foto: Driton Paçarada / KD

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e dytë të vitit 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe konstante.

BPV-ja në tremujorin e dytë të këtij viti shënoi rënie për (-9.28%), krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në këtë tremujor janë: ndërtimi (-47.08%); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor (-24.4%); aktivitetet profesionale dhe administrative (-16.39%); aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-6.71%); si dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi (-1.74%).

Ndërkaq, rritje reale në këtë tremujor kishin aktivitetet ekonomike, si: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë (19.8%); informacioni dhe komunikacioni (29.6%); aktivitetet pasurive të paluajtshme (4.29%); artet, argëtimi dhe çlodhja, dhe aktivitetet e tjera shërbimi (4.64%); si dhe administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia (4.73%).

Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rënie janë: formimi i bruto kapitalit (-41.09%); eksporti i shërbimeve (-62.93%); dhe importi i mallrave dhe shërbimeve (-19.77%).

Ndërkohë, që kishte rritje te: eksporti i mallrave (12.18%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH (3.47%); dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (8.58%).

Shënim: BPV-ja tremujore sipas aktiviteteve ekonomike është paraqitur në nivelin A*10 të agregimit sipas klasifikimit NACE Rev.2.