Arbëri

Seibert: Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe të jetë në harmoni me të drejtën kosovare

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha të hënën në Berlin, se në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që po zhvillohet nën drejtimin e BE-së, duhet të shqyrtohen të gjitha çështjet ende të hapura: „Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të punojnë drejt arritjes së kompromisit, pavarësisht nga këndvështrimet e tyre natyrshëm të ndryshme", tha Seibert.

"Qëllimi është një marrëveshje me të vërtetë gjithëpërfshirëse dhe e detyrueshme ligjërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës". E për të arritur një marrëveshje të tillë, Beogradi dhe Prishtina duhet të shqyrtojnë të gjitha çështjet e hapura", tha Seibert në një konferencë shtypi në Berlin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të DW-së.

I pyetur mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Seibert kujtoi dy marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut teknik, në prill 2013 dhe gusht 2015. „Për tiparet dhe më pas edhe kompetencat e sakta, duhet rënë dakord saktësisht mbi këtë bazë, dhe ato duhet të jenë në harmoni me të drejtën kosovare", tha Seibert dhe shtoi: „Kompetencat e Asociacionit janë përshkruar mjaft qartë në këto marrëveshje dhe ato përfshijnë, për shembull: arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik etj".

Çështje e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kthyer në "mollë sherri" mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Avdullah Hoti. Thaçi është i mendimit se kjo temë nuk ka përse të trajtohet në dialogun politik që po zhvillohet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas qarqeve diplomatike nga Berlini, çështja e Asociacionit ishte shkaku se përse nuk u zhvillua takimi i radhës Hoti-Vuçiq, i paraparë për këtë fillimjave në Bruksel.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me një marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel në vitin 2013. Më vonë në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij asociacioni, që fliste për kompetenca ekzekutive. Krahas arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik, serbëve u jepej edhe kompetenca e planifikimit urban dhe rural.

Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në interpretimin e kësaj marrëveshjeje gjeti që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se parimet mund të harmonizohen me akte ligjore të Qeverisë së Kosovës.