Arbëri

Kosova arrin marrëveshje pune me EMCDDA-në për luftimin e narkotikëve

Është nënshkruar marrëveshje pune në mes të Kosovës dhe Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA).

Ministri i Punëve të Brendshme , Agim Veliu, tha se MPB-ja është e angazhuar maksimalisht në fuqizimin dhe zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe luftimin e narkotikëve.

Ai u zotua se do jetë partner serioz për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat dhe ndërtimin e sistemit të raportimin të problemeve dhe zgjidhjeve në fushën e drogave në nivel vendi, njoftohet përmes një komunikate të MPB-së.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se kjo marrëveshje i jep dinamikë punës së përbashkët në fuqizimin e politikave nga legjislacioni i BE-së për monitorimin e drogave.

Ndërsa, drejtori i EMCDDA, Alexis Goosdeel, tha se ka marrë siguri nga bashkëpunimi i Kosovës me BE-në për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat.

MPB si bartëse e politikave për luftimin e narkotikëve ka iniciuar në vitin 2019 kërkesën për nënshkrim të Marrëveshjes së Punës me EMCDDA.