Arbëri

PDK-ja inicion plotësim-ndryshimin e Ligjit për Trustin për tërheqjen e mjeteve

Foto: Koha / ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës njofton se ka iniciuar sot plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, i cili u mundëson qytetarëve të Kosovës tërheqjen e një pjese të kursimeve të tyre nga trusti.

Përmes një njoftimit, PDK ka thënë se pas situatës së rënduar ekonomike do të deponojnë shumë shpejt për votim në Kuvendin e Kosovës, plotësim-ndryshimin e ligjit i cili do t'u mundësojë qytetarëve të tërheqin mjetet e tyre nga Trusti.

“Kjo iniciativë e PDK-së vjen pas manipulimit që ka bërë Qeveria Hoti duke e futur tërheqjen e mjeteve nga Trusti në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, e më të cilin po dështon për të disatën herë. PDK, përmes plotësim-ndryshimit të këtij ligji, kërkon të ndajë tërheqjen e kursimeve të qytetarëve në trust nga pakoja tjetër, dhe me këtë t'i jepet fund abuzimit me ndjenjat dhe nevojat emergjente të e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

PDK-ja tutje i ka ftuar të gjitha partitë politike në vend që t’i japin mbështetje kësaj iniciative e cila sipas tyre, është ndihmë e drejtpërdrejt për familjet kosovare.

Tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale ka kohë që qytetarëve u është premtuar nga Qeveria Hoti. Por, kjo është përfshirë në Projektligjin e Pakos së Rimëkëmbjes, i cili dështoi të votohet edhe sot për të pestën herë.