Arbëri

Kështu nisi KOHA

Një kohë të re po e paralajmëronte Veton Surroi, në një përmbajtje përshkrimi që kishte bërë tri dekada më parë, kur kishte vendosur ta niste botimin e një reviste të pavarur informative. Kohën që ka dridhur pushtues e pushtete.

Është 1990-a, viti i dytë prej se diktatori i Serbisë, Slobodan Milosheviq, i kishte dërguar tanket për ta suprimuar autonominë e Kosovës. Mbijetesa e shqiptarëve ishte bërë qenësisht e pasigurt. Vendi ballafaqohej edhe me terrin absolut informativ të imponuar nga Serbia dhe pas shuarjes së mjeteve të informacionit publik në Kosovë, si pasojë e suprimimit të autonomisë.

Më 26 shtator të këtij viti ishte thyer ky terr. Dritën e botimit e kishte parë revista KOHA, me të cilën merr start në Kosovë edhe një epokë e re – ajo e gazetarisë së përgjegjësisë sociale.

“Represionit po i përgjigjemi me kreativitet”, kishte shkruar Surroi atëkohë.

Kanë shkuar tridhjetë vjet prej kur zëri më i qartë i së vërtetës për Kosovën nis të përhapet. S’është ndalur kurrë. Nga trungu KOHA ka dalë një gazetë e përditshme, dy televizione e një portal – njëri kombëtar dhe një program 24-orësh lajmesh – ndërsa në vitet e liga për vendin edhe një radio, një agjenci lajmesh e një gazetë në anglisht.

Gjatë gjysmës së dytë të këtij 30-vjetëshi, Flaka Surroi drejton Grupin KOHA, nën ombrellën e të cilit ndodhen këto media. Ajo tregon çfarë simbolizon kompania mediale që udhëheq.

“Para 30 vjetësh, kur doli numri i parë i revistës KOHA, ajo u bë simbol rebelimi ndaj diktaturës”, ka shkruar Surroi. “Sot KOHA është simbol i gazetarisë së pastër, simbol i rebelimit ndaj bastardimit të profesionit për interesa politikanësh e tyxharësh”.

Dëshmitare e kohëve të rënda

Historisë së KOHA-s i kishin dhënë udhë edhe shumë gazetarë me përvojë, të cilët me Veton Surroin kishin punuar në të përditshmen “Rilindja”, prej nga ishin larguar me dhunë nga serbët kur u instaluan masat e dhunshme në gazetë më 5 korrik 1990, e edhe gazetarë të tjerë të dëbuar nga Radio Televizioni i Prishtinës.

Bashkëpunëtorë të rregullt të revistës ishin Shkëlzen Maliqi, Kelmend Hapçiu, Arbën Xhaferi, Eqrem Basha, Blerim Shala, Flaka Surroi, Diana Hoxha (Zagreb), Ibrahim Rexhepi dhe Rafet Rudi. Në këtë fazë të zhvillimit, më shumë se në këtë numër ishin bashkëpunëtorët e kohëpaskohshëm. Kishte edhe karikaturist, lektorë, dizajnues balline, përgjegjës për grafikën e për përgatitjen kompjuterike... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)