Arbëri

Miftaraj: Arrestimet e sotme në pajtim me mandatin e Speciales, lidhen me pengim të drejtësisë

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se arrestimet e sotme janë në “pajtim me mandatin e Gjykatës Speciale dhe mund të lidhen kryesisht me veprën penale pengim në administrimin e drejtësisë”.

Ai në Facebook ka shkruar se nga këto arrestime kuptohet se dosjet të cilat për tri ditë u dërguan para zyrës së OVL të UÇK-së, kanë rrjedhur nga Specialja.

“Përndryshe Gjykata Speciale nuk ka mandat dhe juridiksion të arrestoj askënd nëse nuk lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë lidhur me rastet e Gjykatës Speciale. Secili qytetar i Kosovës duhet të distancohet nga çdo veprim që pengon punën e kësaj gjykate”, ka thënë ai.

Miftaraj shton se njëjtë është obligim i Speciales të sqaroj për publikun lidhur me rrjedhjen e informatave konfidenciale dhe të bind publikun lidhur me sigurinë fizike dhe juridike të dëshmitarëve.

Ai thotë se Gjykata Speciale nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe të mbyllet lidhur me procese kaq të rëndësishme për publikun.

“Transparenca dhe llogaridhënia e Gjykatës Speciale duhet të jetë baza e punës dhe përformancës së saj. Sikurse, Komisioneri për të drejtat dhe liritë e njeriut të Këshillit të Bashkimit Evropian duhet të aktivizohet dhe të kërkoj respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në këtë gjykatë, me theks të veçantë sigurinë fizike dhe juridike të dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre”, ka përfunduar Miftaraj.