Arbëri

Gucati: Dosjet që erdhën janë dokumente zyrtare të Speciales me emra të dëshmitarëve

Kryetari i Organiztës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dosjet që kanë ardhur në zyrat e organizatës janë dokumente zyrtare të Gjykatës Speciale në të cilat figurojnë shumica e emrave të dëshmitarëve.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se OVL e UÇK-së qysh më herët ka qenë në dijeni të plotë për bashkëpunimin e prokurorisë serbe, policisë hetuese, gjykatave serbe, me Gjykatën Speciale në Hagë. Po ashtu ka thënë se kanë qenë në dijeni edhe për kërcënimin e dëshmitarëve nga ana e Serbisë për të dëshmuar kundër strukturave të UÇK-së.

Ai ka thënë se bota deri më tash nuk njeh gjykatë më të padrejtë e raciste se Gjykata Speciale, pos gjyqeve që kanë ndodhur në kohën e inkuizicionit.

“Organizata e OVL-UÇK-së, qysh herët ka qenë në dijeni të plotë për bashkëpunimin e prokurorisë serbe, policisë hetuese, gjykatave serbe në Serbi, me Gjykatën Speciale në Hagë. Kemi qenë në dijeni për kërcënimin e dëshmitarëve nga ana e Serbisë për të dëshmuar kundër strukturave të UÇK-së dhe për këtë Gjykata Speciale ka heshtur. Shpesh jemi prononcuar publikisht se Gjykata Speciale, është e njëanshme dhe e formuar ekskluzivisht vetëm për strukturat e UÇK-së. Askund në botë nëse kemi një luftë dy palëshe nuk mund të ndiqet vetëm njëra palë, ky presedan i paparë ndonjëherë në praktikat gjyqësore ndodhi kundër UÇK-së. Bota gjerë më tani nuk njeh gjykatë më të padrejtë, më raciste e degraduese pos gjyqeve që kanë ndodhur në kohën e inkuzicionit. Së paku në kuadër të kësaj gjykate ka qenë dashtë të dënohen krimet e Serbisë, që janë dokumentuar nga pala kosovare dhe drejtësia ndërkombëtare gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ne nuk pretendojmë ta zhbëjmë Gjykatën Speciale me skandalin e dosjeve që ndodhi, por publikimi i këtyre dosjeve e ka treguar seriozitetin e kësaj gjykate. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare, ku Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për ketë Gjykatë. Arsyeja se pse kjo gjykatë duhej të vendosej në Hagë, ishte pikërisht për faktin se nëse do ishte e vendosur në Kosovë, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, “mund të kishte frikësim të dëshmitarëve”. Dosjet që kanë ardhur në zyrat e OVL të UÇK-së, janë dokumente zyrtare të Gjykatës Speciale në të cilat figurojnë shumica e emrave të dëshmitarëve. Këto dosje konfidenciale kanë dalë nga zyrat e Gjykatës Speciale, prandaj këtu shihet edhe serioziteti dhe niveli i kësaj gjykate që në parim ishte dashtë të ndiqet penalisht për veprimet që i ka bërë, por edhe për rrezikimin e dëshmitarëve që gjenden në këto dokumente”, ka shkruar Gucati.

Ai po ashtu i është përgjigjur prononcimeve të drejtuesit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Balaj, për mënyrën se si janë prezantuar dosjet nga OVL e UÇK-së.

“Ndihem i obliguar t’i sqaroj disa prononcime të Bekim Blakajt, drejtues i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, e që kohë pas kohe ia mbanë zhagin strukturave të sigurisë serbe, ku sipas tij, “mënyra se si u prezantuan këto dokumente nga zyrtarët e OVL të UÇK-së, u la të kuptohet se “qëllimi kryesor është të frikësohen dëshmitarët”. Kjo është akuzë e pa bazë dhe shabllonike që i bëhet organizatës së veteranëve të OVL të UÇK-së. Ky dokumentacion nuk është i UÇK-së, është i Gjykatës Speciale i cili është nxjerrë nga vet kjo gjykatë për qëllime të tyre që ne ende nuk i dimë. Organizata e OVL të UÇK-së është zgjedhur prej tyre apo lidhjeve të tyre për ti lënë këto dosje. E kemi thënë publikisht edhe më herët, disa vite para se të ndodhë skandali me dosje se, një pjesë e dëshmitarëve që janë përpunuar në Serbi, kanë qenë të zënë robër gjatë luftës dhe të burgosur, prandaj dëshmitë e tyre janë marrë nën tortura dhe duke i shantazhuar”, ka shkruar Gucati.


Ai po ashtu ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndërhyrë direkt në ndalimin e presidentit Hashim Thaçi që të mos merrte pjesë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në SHBA.

“Po ashtu Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte ndërhyrë direkt në ndalimin dhe pengimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mos merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ishte paraparë të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thaçi ishte i ftuar dhe e kryesonte Kosovën në këto bisedime. Ky akt që e ndërmori Gjykata Speciale kundër Hashim Thaçit, tregon qartë se Gjykata Speciale është pjesë e ingranimeve politike dhe se indirekt e mban anën e Serbisë. Edhe ashtu Gjykata Speciale, nënkupton Gjykatën e Kosovës me Dhoma të Specializuara në Hagë, me prokuror dhe gjykatës ndërkombëtarë, me polic dhe hetues të huaj si dhe me përkthyes të huaj. Gjykata në fjalë edhe porositë për akuza i merr në Serbi, nuk është e pavarur. Në disa shkrime gazetarët kanë bërë pyetje publike, përse personi i panjohur i ka dërguar dosjet në OVL-UÇK, e nuk i ka adresuar diku tjetër. Ky veprim ka shumë dimensione, së pari publikimi i dosjeve është punë e ndjeshme, dosjet kanë të bëjë me dëshmitë që i kanë dhënë dëshmitarët kundër strukturave të UÇK-së, dhe ata që e kanë zgjedhur OVL-UÇK për t’i lënë dosjet e kanë qitur para një përgjegjësie të madhe sigurisht për të gabuar. Sidoqoftë organizata e OVL të UÇK-së nuk është për t’i përmirësuar gabimet dhe dështimet e askujt, ne jemi për ti mbrojtur vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lirinë e Kosovës, pavarësinë e Kosovës, që u fitua me mundin e sakrificat e qindra e mijëra qytetarëve të Kosovës dhe me Gjakun e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mos harroni se ketë që është duke e bërë Gjykata Speciale, njëanshëm kundër UÇK-së, në një të ardhme të shkurtër do të gjykohet nga e gjithë bota demokratike si njëra nga padrejtësitë e shekullit që iu bë UÇK-së”, ka shkruar Gucati.