Arbëri

Kuvendi dështon të votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, kritikohet nga bizneset

Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dështoi të votohet në parim në seancën e së enjtes, pasi Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës refuzuan të bëheshin pjesë e votimit.

Pas dështimit, as nga Vetëvendosje dhe as nga PDK-ja askush nuk është prononcuar për këtë çështje.
Deri tash pakoja Fiskale Emergjente vlerësohet se nuk e ka lehtësuar aspak ndikimin e pandemisë tek bizneset, transmeton KOHA.
Sipas shifrave zyrtare, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë shuar rreth 576 biznese.
Nerona Bajgora, pronare në një dyqan në Prishtinë, tha se pandemia ndikoi jashtëzakonisht keq në biznesin e saj dhe ndihma prej 170 eurove nga Qeveria ishte shumë e vogël.

“Pjesa e pandemisë tek ne ka ndikuar shumë në rënien e punës sonë. Puna nuk ka qenë asnjëherë më dobët se këtë vit, shumë ka ndikuar keq në pjesën e butikave”, ka thënë Bajgora.

Përfaqësues të Odave kanë vlerësuar se gjendja ekonomike është e rëndë, duke kritikuar deputetët për mosmiratimin e pakos ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se nëse Qeveria nuk ndërhyn me mjete financiare deri në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit tetor, kolapsi është i pashmangshëm.

"Një pjesë e bizneseve varet nga miratimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike që për arsye jo të qëndrueshme po bllokohet, qoftë nga mosharmonizimi nga brenda vetë pozitës, por edhe mes pozitës dhe opozitës. Rimëkëmbja ekonomike nuk do të duhej të ishte temë ku ngriten flamujt partiakë por ish dashtë me qenë temë e interesit nacional ku secila parti duhet të japë kontributin e vetë”, ka deklaruar Rukiqi.

"Ne ende realisht nuk i kemi ekzekutuar deri në fund as pakon emergjente fiskale ajo që është dashur të përfundojë deri në fund të muajit maj pa e diskutuar këtu edhe mosnisjen fare të zbatimit të masave nga programi i rimëkëmbjes ekonomike. Është e pafalshme edhe për Qeverinë ose më mirë të them për koalicionin i cili tashmë e drejton Qeverinë për shkak se përgjegjësia primare bie mbi ta që të sigurojnë numrat për kalimin e legjislacionit përkatës por natyrisht edhe për Kuvendin", është shprehur Zeka.

Në seancën e së enjtes kanë dështuar të votohen Rezoluta e Vetëvendosjes dhe rekomandimet e PDK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, votimi i rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës dhe votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.