Arbëri

Dodiku pamundëson njohjen e Kosovës nga Bosnja e Hercegovina

Foto: Epa-Efa

Votimi kundër i anëtarit serb të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka pamundësuar njohjen e Kosovës nga ky shtet, edhe pse në presidencë, dy anëtarët tjerë ishin pro.

Siç ka bërë të ditur njëri anëtar, Zhelko Komshiq, të enjten në mbledhjen e presidencës ai dhe kryesuesi Shefik Xhaferoviq votuan pro njohjes së Kosovës, por ishte Dodiku ai që doli kundër.

“Dodiku nuk ka pranuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Votuam 2 me 1 për këtë vendim. Ai ishte kundër dhe kjo do të jetë çështje për javët e ardhshme. Pritet që Dodiku të kërkojë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe dhe të prezantojë aty çështjet ku Kosova lidhet me 'storie të rrezikshme që mund të përshkallëzojë në storie ndarjeje', dhe besoj se e dini të gjithë ku shpien kjo”, ka thënë Komshiq, raporton “Klix”.

Vendimi për çështjen e Kosovës nuk është përfundimtar. Palët janë pajtuar të ketë votim të dytë në mbledhjen e ardhshme, dhe nëse sërish rezultati është 2:1, Dodiku pritet të tërhiqet nga disa kërkesa të tij dhe të dërgojë çështjen e Kosovës në Asamble ku konsiderohet e sigurt se e ka të sigurt mbështetjen.

Komshiq po ashtu ka bërë të ditur se ai dhe Xhaferoviq kanë votuar kundër iniciativës së Dodikut që ambasada e BeH-së të zhvendoset në Jerusalem.

Ai ka thënë edhe se Dodiku ka përmendur marrëveshjen në Washington dhe ka ndërthurur atë për të cilën Aleksandar Vuçiq dhe Avdullah Hoti janë dakorduar dhe konform kësaj është konsekuent edhe në lidhje me Kosovën.

“Kosova është realitet. Kosova është shtet i pavarur dhe të gjithë e dimë. Të ikësh nga kjo, është politikë struci që fut kokën në rërë para rrezikut”, ka thënë Komshiq, duke shtuar se kushdo që frikësohet nga vendimet si ajo për njohjen e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në kryesinë e BeH-së.

Sa i përket çështjes së “Mini-Schengenit”, presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës ka vendosur ta përkrahë, por fillimisht duhet parë se si është paraparë bashkëpunimi.