Arbëri

Grenelli: Administrata Trump, përmes njohjes nga Kosova, deshi ta ndihmojë Izraelin

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump konsideron se “konflikti” 20-vjeçar mes Kosovës dhe Serbisë është menaxhuar në mënyrë të gabuar dhe ne jemi pyetur se çfarë mund të bëjmë ndryshe, ka vlerësuar të martën i dërguari i posaçëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

“Të gjithë tani janë të fokusuar në politikë, përderisa ne jemi të fokusuar në ekonomi. Duam që kapitalizmi të mbizotërojë në rajon, që përmes krijimit të vendeve të reja të punës të bëjmë atë që nuk kanë arritur tjerët, pasi u fokusuan në aspektin politik”, ka theksuar Grenell për një radio serbe në Chicago, raportojnë mediet beogradase.

Ai ka thënë se qasja e administratës Trump karshi politikës së jashtme është ndryshe.

“Ne nuk duam të ndërhyjmë në zgjidhjen e problemeve. Problemet duhet t’i zgjidhin ata vetë”, ka theksuar Grenell.

Roli ynë, si ka thënë Grenelli, është të “sigurojmë paratë për realizimin e projekteve, për të cilat besojmë se mund të kenë sukses, të përcjellim rrjedhën e atyre parave”.
Duke përshkruar se si rrjedhën negociatat midis dy palëve në Washington, Grenelli ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka qenë “negociator shumë i zorshëm” dhe se negociatat kanë qenë të zorshme pasi që të dyja palët kanë dashur më shumë.

Grenelli po ashtu i ka thënë kësaj radioje se ka ndikuar dhe e ka nxitur Trumpin që ta vizitojë Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin.

“Presidenti Trump ka thënë se mezi pret të vijë në vizitë. Ende nuk kemi datë apo detaje, por tashmë e kemi tejkaluar pengesën e parë, pra që Shtëpia e Bardhë zyrtarisht pajtohen me një gjë të tillë”, ka thënë Grenell.

I pyetur rreth idesë se Mini-Schengenit, Grenelli ka sqaruar se SHBA-ja nuk do të marrë pjesë në një gjë të tillë apo ta mbikqyrë, por se i pëlqen ideja dhe të gjithë duan të marrin pjesë në të.

“Prandaj edhe e kemi vënë në negociata, të shohim që edhe Serbia dhe Kosova të marrin pjesë në Mini-Schengen. Dhe njëmend na pëlqen ideja, është e mirë sa i përket bashkëpunimit tregtar dhe ndërtimit të organizatave multilaterale, të themeluara mbi bazën e krijimit të profiteve dhe punësimit të njerëzve”, ka thënë ai.
Grenelli ka theksuar se gjatë negociatave kanë insistuar rreth asaj që për një vjet të ndërpriten pëprjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, “në mënyrë që të mund të bisedohet rreth temave kryesore”.

“Nga ana tjetër, sa u përket raporteve mes Kosovës dhe Izraelit, administrata Trump konsideron se SHBA-ja duhet që në çdo mënyrë të tentojë ta ndihmojë Izraelin, që ndodhet në një ambient tejet armiqësor. Prandaj është me rëndësi ta përforcojmë grupin e shteteve që duan ta mbështesin Izraelin dhe në atë grup kemi dashur ta përfshijmë Kosovën”, ka thënë Grenelli.