Arbëri

Tre të dyshuarve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit u vazhdohet detyrimi i paraqitjes në polici

Descriptive Text

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vazhduar masën e paraqitjes së detyrueshme në polici edhe për dy muaj të Dragisha Markoviqit, Silvana Arsoviqit dhe të Zharko Jovanoviqit, të cilët dyshohet se u kanë ndihmuar kryesve të vrasjes ndaj Oliver Ivanoviqit, liderit të serbëve në Kosovë, raporton Radio Kontakt Plus, transmeton Koha.net.

Njoftimin e ka konfirmuar për këtë medium në gjuhën serbe avokati i Markoviqit, Dejan A.Vasiq.

“Mendoj se askush nuk mund të konkludojë në bazë të logjikës se si klienti im do të mund të ikte. Ai është në liri një kohë të gjatë, përgjigjet në secilën ftesë të gjykatës dhe merr pjesë aktivisht në procedurë. Unë do të bëj ankesë ndaj këtij vendimi dhe pres sinqerisht se Gjykata e Apelit do të ndryshojë gjendjen e krijuar, duke e shfuqizuar vendimin”, deklaroi Vasiq.

Lideri i Iniciativës Qytetare Liri Demokraci Drejtësi ((SDP) Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018 para selisë së zyrës së tij në Mitrovicën e veriut.

Në procesin që po zhvillohet para Gjykatës Speciale të Kosovës, janë të akuzuar Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Dragisha Markoviq, Rade Basara. Si udhëheqës të grupit kriminal akuzohen Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, transmeton Koha.net.