Arbëri

Përdorimi i dinarit serb në Kosovë po i shkakton dëme buxhetit të Kosovës

Përdorimi i dinarit serb në disa vende në Kosovë, po i shkakton dëme buxhetit të shtetit për miliona euro, për shkak se shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës.

Ekspertët e vlerësojnë shumë të dëmshme në aspektin ekonomik përdorimin e dinarit si dhe antikushtetues e ilegal, derisa Kushtetuta e Kosovës e përcakton euron si valutë zyrtarë.

Nysret Maxhera, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se përdorimi i dy valutave e rrënon sistemin financiar të vendit.

“Dinari hyn në mënyrë ilegale, nuk paraqitet jo vetëm në ATK, por në mjetet e këmbimit të shitblerjes, të pagesave të pensioneve, ndihmave sociale, të cilat Serbia gjithmonë i bën këto pagesa me dinarë”, ka thënë ai për KP, duke shtuar se nuk ka një bilanc të saktë të humbjeve në buxhetin e Kosovës, porse shprehet i sigurt se ato janë me miliona.

Çështjet e dinarit serb, ai e sheh të nevojshme të trajtohet në bisedimet të cilat po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E, njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati, sqaron përdorimin e dinarit si valutë në Kosovë në bazë të Kushtetutës.

Ai thotë se derisa nuk ekziston ndonjë marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, qarkullimi i dinarit është veprimtari ilegale dhe jo kushtetuese. Kjo valutë, sipas tij duhet të sekuestrohet.