Arbëri

7 vjet që nga marrëveshja, Asociacioni vazhdon të diskutohet mes dy vendeve

Asnjë detaj nga diskutimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk kanë dhënë Qeveria e Kosovës e as Bashkimi Evropian. Kjo ka qenë njëra nga temat që është diskutuar në takimin e së hënës në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë çështje, KOHA ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit, por që nga e marta nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Për Asociacionin, kryeministri Avdullah Hoti është pyetur edhe në konferencën për media të mërkurën, por nuk ka dhënë ndonjë informacion shtesë përveçse “do të shohin se si do të lëvizin përpara” për zbatimin e saj.

Për diskutimet rreth Asociacionit nuk kanë pranuar të flasin as nga Bashkimi Evropian derisa vlerësojnë të domosdoshme adresimin e çështjeve që lidhen me komunitetet jo-shumicë.

“Ne nuk i komentojmë detajet e diskutimeve të bisedimeve. Asociacioni/ Komuniteti ka qenë mekanizmi përmes të cilit do të adresoheshin nevojat për komunitetin joshumicë serb të Kosovës. Si pjesë e negociatave të një marrëveshje gjithëpërfshirëse, është thelbësore që të adresohen rregullimet e përgjithshme për komunitetin joshumicë. Të gjitha çështjet që do të diskutohen në dialog janë thelbësore për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thwnw Peter Stano, Zëdhënës për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë
 

Në anën tjetër, njohës të marrëveshjes së arritur më 2013 dhe asaj më 2015, thonë se pala kosovare duhet të ketë kujdes në adresimin e kësaj çështjeje në tavolinën e bisedimeve.

Sipas Violeta Haxhollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në takimet me Serbinë duhet të insistohet që formimi i Asociacionit mund të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën.

Sadri Rrmoku, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, thotë se duhet të rifunksionalizohet grupi punues që do të merrej me zbatimin e marrëveshjes së arritur në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia fillimisht janë dakorduar në prill të 2013-s. Derisa dy vjet më vonë, më 2015, i kanë diskutuar parimet mbi të cilat do të krijohej një asociacion i tillë.

Në fund të 2015-s, Gjykata Kushtetuese pati vlerësuar se 23 pikat e marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.