Arbëri

Veliu: LDK-në s’mund ta ndajë askush, aq më pak Vjosa Osmani

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, është shprehur edhe një herë kundër ish-nënkryetares së kësaj partie, Vjosa Osmani. Ai ka thënë se partia ku ai bën pjesë është e pandashme, duke thënë se “atë s’mund ta ndajë madje as Vjosa Osmani”.

Kryeparlamentarja Osmani ishte përjashtuar nga strukturat udhëheqëse të kësaj partie në fund të qershorit, pasi kishte dalë kundër prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen dhe ishte kundër formimit të Qeverisë Hoti. Ajo ditë më parë paralajmëroi rrugëtim të ri politik duke thënë se me përjashtimin nga partia “kishte përfunduar gjithçka”.

Ndërkohë, të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme, pas takimit me kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri, po ashtu nënkryetar i kësaj partie, ka thënë se “Osmani ka kohë që është jashtë LDK-së”.

“Lidhja Demokratike deri tash është treguar historikisht që nuk mundet ta ndajë askush. Nga Lidhja Demokratike mund të ndahen individët. Lidhja Demokratike është parti tepër e organizuar me një histori të gjatë të veprimit. Është parti politike që u ka qëndruar shumë stuhive dhe nuk besoj që mund të ndajë dikush LDK-në aq më pak Vjosa Osmani e cila ka kohë që punon kundër LDK-së. Ajo ka kohë që është jashtë LDK-së me punë kurse me trup ka qenë në LDK deri tash”, është shprehur Veliu, raporton KOHA.

Në një deklaratë për mediat, dy ditë më parë, Osmani kishte lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, por duke thënë se për mënyrën se si do të konkretizohet ky bashkëpunim do të njoftojë me kohë.