Arbëri

Stano: Hapja e ambasadës në Jerusalem është kundër qëndrimeve të BE-së

Zëdhënësi i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se sa për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe po ashtu zhvendosja e ambasadës së Serbisë në këtë qytet, këto janë angazhime bilaterale të palëve.

Por ai ka thënë se BE-ja ka qëndrim të qartë sa i përket Jerusalemit dhe se në këtë qytet nuk ka ambasadë asnjë shtet i BE-së e nuk ka as delegacion të BE-së atje.

“Sa për ambasadat është angazhim bilateral i tyre. Këto pyetje duhet t’u bëhen atyre. Unë vetëm mund të them se pozicioni i BE-së për lëvizjet e ambasadave në Jerusalem është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Nuk ka shtet të BE-së me ambasadë në Jerusalem. Nuk ka delegacion të BE-së në Jerusalem. Është në vijë me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara. BE e ka përsëritur përkushtimin për zgjidhjen për dy shtete. Duhet gjetur rrugë nëpërmjet dialogut për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqendër e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës. Pasi që Kosova dhe Serbia e kanë prioritet integrimin në BE, BE pret që të dyja të veprojnë në vijë me këtë përkushtim”, ka thënë Stano në konferencë për media.

Në takimin në Washington, si pjesë e marrëveshjes Kosovës iu premtua njohja nga Izraeli me kusht që ambasadën ta hapë në Jerusalem. Serbia u zotua që vitin tjetër ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

Stano ka shtuar se pezullimi gati dyvjeçar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishte faji i BE-së por i akterëve.

“Dialogu i BE-së po vazhdon që nga viti 2011, gjatë kësaj kohe, shumë gjëra janë arritur. Janë arritur 16 marrëveshje të përbashkëta që nga viti 2011., Është bërë shumë përparim për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Si sa i përket lëvizjes së mallrave, njerëzve, integrimi i policëve serbë, gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e Kosovës. Arsyeja për ndërprerjen nuk mund të gjendet në anën e BE-së, pasi BE-ja është e gatshme të ndihmojë kur aktorët kryesorë janë të gatshëm të lëvizin. Po mbahet vetëm një dialog i ndihmuar nga BE-ja, pasi ky dialog qon drejt aspiratave evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Mund të arrish të ardhmen e BE-së vetëm me këtë dialog. Çfarëdo që ndodh anash dhe ndihmon pozitivisht për të sjellë palët më afër normalizimit të marrëdhënieve dhe është në vijë me rregullat e BE-së është gjithmonë e mirëseardhur. Është në proces që po vazhdon. Por procesi kryesor është dialogu i ndihmuar nga BE-ja. Dy akterët janë të interesuar të ecin përpara. Ne po shohim që po ka interes të shkohet para”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe për njohjen e Kosovës nga Izraeli, për të cilën ka thënë se BE-ja nuk komenton dhe se është çështje e shteteve individuale.

Po ashtu Stano gjatë konferencës ka përsëritur se Kosova nuk mund të aplikojë pa anëtarësim të BE-së pa u njohur nga gjitha shtetet anëtare të BE-së. E Kosova nuk njihet ende nga pesë shtete anëtare.

“Sa i përket kur Kosova do të lejohet të aplikojë për anëtarësim në BE, duhet të them se janë pesë shtete që nuk e njohin në BE. Kosova nuk është në gjendje të aplikojë me këtë gjendje. Por është njohur tashmë se ka rrugë të qartë evropiane. Jemi duke punuar me vite shumë intenzivisht me Kosovën, njerëzit dhe përfaqësuesit e Kosovës, për t’i ndihmuar të ecin para në rrugën drejt integrimit Evropian, që një ditë të jetë e mundur të aplikohet për integrim në BE. Kjo është një nga synimet e dialogut. Pasi pa normalizim të marrëdhënieve, asnjëra palë (Kosova e Serbie) nuk mund të futen në Bashkim Evropian si fazë final. Unë bëjë thirrje të shihen këto gjëra si hap pas hapi e jo të kapërcehen shkallët. Pasi Kosova nuk njihet si shtet nga pesë anëtare, BE-ja ka status neutral në këtë. Nuk mund të bëjmë hapat me Kosovën siç do të bënim me shtetet tjera që janë të njohura nga 27 anëtarët e BE-së”, ka shtuar Stano.