Arbëri

Hoti: Në Bruksel dialogojmë për njohje reciproke

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se do të bisedojnë me palën serbe për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, të hënën në Bruksel.

Në Facebook, ai ka shkruar se marrëveshja me Serbinë arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke.

“Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura”, ka shkruar ai.

Kritika mbi Marrëveshjen e arritur në Uashington me Serbinë për stabilizim ekonomik, ka pasur nga opozita por edhe nga bashkëpartiakja e kryeministrit, Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se delegacioni kosovar nuk i solli Kosovës ato që i premtoi. Kurse nga VV-ja e PKD-ja janë shprehur se Marrëveshja është e papranueshme dhe se nuk siguronte njohjen reciproke të premtuar.