Arbëri

Izraeli e sheh si hap drejt paqes hapjen e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem

Foto: Reuters

Ministria e Jashtme e Izraelit edhe zyrtarisht ka njoftuar për vendosjen e raporteve diplomatike me Kosovën dhe për vendimin për hapjen e ambasadave së Kosovës dhe të Serbisë në Jerusalem. Në një komunikatë për media të kësaj ministrie, thuhet se ky është hap për promovim të paqes.

Njohja e Izraelit për Kosovën erdhi si pjesë e marrëveshjes që Kosova e Serbia e nënshkruan të premten në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit Donald Trump.

“Ne e shohim vendimin e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin ambasadat e tyre, si hap simbolik drejt promovimit të paqes në mes këtyre shteteve. Qyteti i Jerusalemit, kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Izraelit, do të përbëjë një urë paqeje për tërë botën. I bëj thirrje shteteve të tjera që të ndjekin këto hapa dhe të vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem, kryeqytetin e Izraelit”, ka thënë ministri i Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Twitter është shprehur se Kosova është e vendosur që të hapë ambasadën në Jerusalem e të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit Trump, nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik. Gjatë këtij takimi, pas njoftimit nga presidenti Trump se Izraeli do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, kryeministri Hoti zhvilloi një bisedë të shkurtër telefonike me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilën, tha se u dakorduan që Kosova sa më shpejtë të hapë ambasadën në Jerusalem./rel