Arbëri

O’Brien dhe Grenell e quajnë të jashtëzakonshme marrëveshjen Kosovë - Serbi

Descriptive Text

Këshilltari për Siguri Nacionale Robert O’Brien dhe emisari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, e kanë quajtur të jashtëzakonshme atë që ka ndodhur sot në Washington, ku u nënshkrua marrëveshja e quajtur ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

O’Brien ka thënë se meritat më të mëdha për këtë i ka presidenti amerikan Donald Trump, që edhe mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

“Serbia dhe Kosova kanë normalizuar marrëdhëniet ekonomike, për shumë vjet ata kanë ngecur. Presidenti ka menduar se duhet të provojmë diçka të re, që të ndihmojmë këtë. Është e jashtëzakonshme ajo që ka ndodhur sot. Një nga pikat anësore të rëndësishme është vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës, vend me shumicë myslimane me Izraelin. Me të gjitha këto që kanë ndodhur, po e shihni që Presidenti është me të vërtetë i interesuar të bëjë paqe. Kjo ndodh vetëm rreth një muaj prej kur unë dhe Jared (Kushner) ishim bashkë në fluturimin historik EBA - Izrael”, transmeton KOHA.

Ndërkohë i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, e ka vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si zhbllokim të situatës së krijuar mes tyre.

“Ishte luftë e tmerrshme dhe secili prej jush, gazetarëve, që punon më shumë se 10 vjet mund ta kujtoni këtë. Kjo është një nga ato storiet e mira, dhe po iu lus të shikoni fakte. Kemi punuar gjatë dhe shumë për këtë marrëveshje. Politika kishte ngecur dhe ata kishin dekada që po negocionin e nuk po merreshin vesh. Presidenti Trump më tha, ata po luftojnë politikisht dhe pse të mos provojmë diçka kreative? Pra, të gjejmë një zgjidhje ekonomike që të zhbllokojmë situatën”, tha Grenelli.

Grenelli tha se pikat e marrëveshjes do të çojnë përpara paqen në rajon.

“Besoj edhe BE-ja do të jetë e kënaqur. Kemi qenë vazhdimisht në kontakt me këshilltarët për siguri në Gjermani dhe Francë. I kemi njoftuar ata dhe kanë qenë të kyçur për strategjinë e marrëveshjes dhe prapë sot do t’i njoftojmë për detajet”, tha tutje ai.

Në anën tjetër, Jared Kushner tha se “Ky është një tjetër kapitull që kjo administratë ka arritur ta shkruaj për të vendosur paqe në botë”.

“Kjo marrëveshje sot me të vërtetë është historike, ashtu siç ishte e tëra java këtu me zhvillime të ndryshme, përfshirë fluturimin e parë ndërmjet Izraelit dhe UAE”, tha ai.