Arbëri

51 të infektuar në Shtëpinë e personave të moshuar që nga fillimi i pandemisë

Me përhapjen e pandemisë COVID-19 të moshuarve iu kërkua që të izolohen më herët dhe më gjatë se popullata e përgjithshme.

Kështu ngjau edhe në Shtëpinë për Persona të Moshuar pa përkujdesje familjare në Prishtinë, që me një vendim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale u ndaluan vizitat dhe u ngrit protokolli i sigurisë.

Aktualisht në Shtëpinë e të Moshuarve në kryeqytet janë 68 banorë rezidentë. Në total, 51 banorë rezultuan pozitivë me virusin SARS-COV-2. Prej tyre, raste aktive janë 13. Porse njoftohet se të gjithë janë mirë me shëndet.

Mjeku Krenar Reshitaj i cili kujdeset për të moshuarit në këtë qendër, tregon për KosovaPress masat e para që i ndërmorën për të mbrojtur banorët rezidentë nga rreziku i infektimit.

“Me vetë faktin që virusi COVID, është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ne ende pa asnjë rast në Kosovë kemi marrë masat e duhura, moslejimi i daljeve dhe hyrjeve të rezidentëve brenda apo jashtë, izolimi brenda institucionit, kemi ndaluar vizitat familjare për ta, nuk ka pasur të drejtë të hyjë askush përveç stafit esencial që ka punuar në Shtëpinë e të Moshuarve”, ka thënë Reshitaj.

Të moshuarit nuk i pritën mirë masat, sidomos pasi në vendin tonë ende nuk ishte regjistruar rasti i parë. Megjithatë, Reshitaj tregon se është punuar bashkërisht me psikologen për të kuptuar më mirë situatën.

“Fillimisht nuk ka pas shumë frikë dhe ka pasur një hezitim të besimit ndaj virusit nga rezidentët. Kemi pasur ankesa të ndryshme se pse po i mbyllim brenda por jemi munduar që në mënyrë adekuate t’i tregojmë bashkë me psikologen. Kjo situatë filloi të ndryshojë kur erdhi virusi në Kosovë dhe filluan të kuptojnë realitetin, pastaj vazhduam me masat të cilat i morëm në fillim”, deklaroi Reshitaj.

Katër muaj pasi në Kosovë ishin regjistruar rastet e para me COVID-19, në Shtëpinë e të Moshuarve në kryeqytet u shënua edhe rasti i parë.

Një 80-vjeçare me simptoma u testua dhe rezultoi pozitive, ndërsa pas kërkesës për testim edhe të banorëve dhe stafit, u konfirmua se ishin prekur me virusin SARS-COV-2 edhe 30 banorë të tjerë dhe nëntë anëtarë të stafit esencialë.

“Në maj të këtij viti, kemi bërë testin për të gjithë rezidentët dhe stafin esencial , të gjithë kemi rezultuar negativë, pastaj kemi vazhduar me masat e duhura për mbrojtje nga COVID. Në ndërkohë me 16 korrik, unë si mjek kam hasur në disa simptoma dyshuese në lidhje me COVID-19 në njërën nga rezidentet, një 80-vjeçare, e kam orientuar për test, kam kontaktuar me IKSHPK dhe kanë ardhur e kanë testuar rezidenten në fjalë. Të nesërmen ka ardhur rezultati që ka rezultuar pozitiv, në atë moment kemi kërkuar nga Instituti për ritestim për të gjithë rezidentët dhe stafin në institutin tonë. Kemi formuar zona karantine të improvizuara menjëherë pas këtij rasti, këto zona janë ende në shfrytëzim nga rezidentet pozitivë. Pas dy dite është bërë testimi i të gjithë rezidentëve të tjerë ku kanë rezultuar pozitivë 31 banorë dhe 9 anëtarë të stafit esencial”, tregon Reshitaj.

Pas rasteve të para në këtë institucion, tashmë u shfaq nevoja që të tregohet kujdes edhe për shëndetin mendor të banorëve të cilët kishin frikë se a mund të përballonin virusin.

“Jemi përkujdesur edhe për anën psikologjike të rezidentëve të cilët janë të infektuar por edhe për ata që nuk janë të infektuar por kanë frikë se infektohen në të ardhmen, kemi pasur një trajtim psikologjikë të veçantë e po ashtu edhe një trajtim shëndetësor. Nuk kemi pasur asnjë problem nga ana e rezidentëve, shumë nga ta ju kanë bindur izolimit. Ka pasur ndonjë rast të cilët nuk e kanë besuar virusin por në përgjithësi ka qenë një izolim i duhur dhe respektim i masave të izolimit”, ka thënë ai.

Mirëpo, problemet filluan të shfaqeshin edhe te personeli shëndetësor. Në momentin që 9 anëtarë të stafit esencialë rezultuan pozitivë, ky institucion mbeti me pak punëtorë shëndetësorë.

Ata që ishin në detyrë nuk njohën më orar, punuan nga 24 orë në shërbim të të moshuarve.

“Në momentin që morëm rezultatin që 9 anëtarë të stafit janë pozitivë, filluam komunikimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me ç’rast ata u angazhuan të bëjnë një rikonstruktim dhe të sjellin staf shtesë për arsye se mbetëm shumë pak, veçanërisht infermierë kanë qenë 4 apo 5. Është rritur orari i punës, kemi funksionuar me orar të zgjatur, shtabi emergjent ka punuar vazhdimisht”, vijoi Reshitaj.

As mjeku Reshitaj nuk i shpëtoi infektimit me sëmundjen COVID-19, por thotë se kaloi lehtë.

“Pas kësaj kemi bërë edhe një ritestim nga ana e Institutit me 15 gusht, për arsye që të dimë se kush e ka kaluar virusin dhe a është prekur dikush tjetër, prapë kanë rezultuar pozitivë 23 rezidentë dhe 9 anëtarë të stafit ku një nga ta kam qenë edhe unë, por e kam tejkaluar virusin në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Reshitaj.