Arbëri

“Abuzimi me ujë”, kryetemë e së dielës në KOHA Ditore

Për abuzimin me ujë dhe projektin për ujësjellës të nisur para 8 vjetësh, për furnizimin e 15 fshatrave të Pejës, lumenjtë e zinj dhe degradimin e tyre, nis edicioni i veçantë i së dielës në “Koha Ditore”.

‘’Peshku që të bën të ndihesh keq’’ është tema e së dielës, ku ndotja dhe shtrembërimi i shtretërve të lumenjve në detaje shpjegon edhe gjendjen e lumit të Mirushës.

Në intervistë Baton Begolli flet për degradimin e resurseve ujore dhe për bashkëfajësinë e institucioneve ndaj këtij fenomeni.

Në rubrikën e reportazhit mund të lexoni për poshtërimin e Mirushës, pendën e kundërligjshme të Malishevës që ndal ujin dhe 11 fshatrat që derdhin kanalizimin në këtë lumë.

Për ndikimin e Trumpit të vogël në politikën amerikane dhe ishujt që ia mbyllën dyert virusit mund të lexoni në rubrikën e botës.

Në mesin e shkrimeve për kulturën do të lexoni intervistën e regjisorit kroat Ivan Ramljak dhe për projektin e tij dokumentar për një episod të panjohur nga Lufta e Dytë Botërore.

Monumenti këtë javë sjell rrëfimin interesant të piktores Arta Maliqi-Shala, e cila ka zgjedhur pasionin e saj për punë të përditshme.

Për sportin flet Fatmir Sheremeti, goalbollisti kosovar që jeton në Suedi, historia e tij sa e dhimbshme aq edhe interesante, si dhe rruga e tij drejt suksesit.

Përveç këtyre, artikuj të tjerë të veçantë nga libri, filmi, muzika dhe enigmatika, si zakonisht i gjeni në mbi 60 faqet e “Kohës Ditore”.