Arbëri

Qeveria nuk i bën të ditur anëtarët e delegacionit që do të udhëtojnë në Bruksel me Hysenin

Pak orë para takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur temën e diskutimit.

Sipas kreut të Qeverisë, në takimin e 27 gushtit do të diskutohet për çështjet e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Paraprakisht, KOHA ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se kush do të jenë anëtarët e tjerë të delegacionit që do të udhëtojnë për në Bruksel, e i cili do të kryesohet nga koordinatori Skënder Hyseni. Por, gjatë së mërkurës ka munguar përgjigja nga ana e tyre.

Një gjë të tillë, nuk e kanë bërë as nga Bashkimi Evropian.

Nabila Massrali, Zëdhënëse e BE-së për Punët e Jashtme tha se “Dialogu pas rifillimit të tij në nivelin më të lartë korrikun e kaluar vazhdon me seri takimesh në nivelin e ekspertëve, të cilat janë pjesë e një procesi në vazhdim”.

“Mund të konfirmojmë që takimet do të zhvillohen më 27 gusht. Si rregull, ne nuk japim komente për diskutimet që janë duke vazhduar”, tha ajo.

Kritika ndaj Qeverisë për takimet në Bruksel e përfaqësimin atje kanë adresuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Albulena Haxhiut nga kjo parti, delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë është jokushtetues.

Në anën tjetër, njohës të procesit të dialogut thonë se do të jetë i vështirë zbatimi i marrëveshjeve që mund të arrihen në Bruksel.

Përfaqësimi i vendit në bisedimet me Serbinë ka qenë një nga arsyet e përplasjeve të fundit edhe brenda kabinetit qeveritar. Partitë në koalicion, si AAK-ja e Nisma, kanë kërkuar që në këtë proces përveç të zgjedhurve të kryeministrit të jenë edhe përfaqësues të tyre.

Lidhur me takimin e 27 gushtit dhe ekipit, KOHA ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga koordinatori për dialogun, Skënder Hyseni, por që i njëjti ka qenë i paqasshëm gjatë së mërkurës.