Arbëri

Aprovohet plani për realizimin e vitit të ri shkollor, ndahen 9 milionë euro për MASH-in

Qeveria e Kosovës ka aprovuar planin për realizimin dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2020:2021.

Rreth 9 milionë ka kërkuar Ministria e Arsimit nga Qeveria e Kosovës, e cila edhe i ka ndarë aq për këtë plan në mbledhjen e mbajtur të mërkurën pasdite, raporton KOHA.

Këtu ndër të tjera përfshihet mbajta e mësimit online dhe mirëmbajtja e shkollave sipas rekomandimeve të IKSHP-së. Fondet janë ndarë nga programi për rimëkëmbjen ekonomike.

Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:

Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;

Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.

Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.