Arbëri

Koci: Mandati i Speciales mund të vazhdohet me automatizëm

Avokati Arianit Koci ka thënë se amendamenti kushtetues, në bazë të së cilit është themeluar Gjykata Speciale, parashikon se mandati maksimal i këtij institucioni është pesë vjet.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se amendamenti kushtetues ka referenca konfuze dhe me dy kuptime, duke shtuar se kjo mund të ketë qenë lojë e akterëve nga bashkësia ndërkombëtare për të siguruar votat e mjaftueshme në kohën e votimit të Speciales.

“Natyrisht, të njëjtit tani do të thonë që mandati vazhdohet me automatizëm”, ka shkruar Koci.

Ai ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili tha se ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që mandati i Dhomave të Specializuara të zgjasë deri kur të bëhet njoftimi për përfundimin e mandatit nga Këshilli i BE-së.

“Ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së i cili është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, parasheh që mandati i gjykatës do të vazhdohet derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të mos e informojë Kosovën se të gjitha hetimet dhe të gjitha proceset në kuadër të Dhomave të Specializuara kanë përfunduar”, ka shkruar ai.

Sipas tij, “deputetët janë treguar naiv dhe jokompetent, pasi që nuk e kanë sqaruar me kohë këtë mospërputhje”.