Arbëri

Shahini: Mbështetje me libra shkollorë shqip për shqiptarët në Serbi

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini në vijim të publikimit të disa prej punëve të realizuara deri më tani përgjatë vitit 2020 ka përmendur edhe mbështetjen me libra shkollorë shqip në Serbi të fëmijëve të shqiptarëve.

“Në vazhdën e punëve të mira gjatë 2020-ës është edhe ndihma konkrete ndaj shqiptarëve në Serbi duke i mbështetur me libra shkollorë shqip për arsimin parauniversitar”, nënvizon ministrja Shahini.

Ndër të tjera, ajo cilëson gjithashtu se jemi “shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe”.

Shqiptarëve në Serbi do t’iu lejohet tashmë përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, një punë konkrete e realizuar pas një vale të gjatë bashkërendimi mes MASR dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Më herët, vetë ministrja ka deklaruar se pas shumë vitesh përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi do u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. “Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, është shprehur më herët ajo/ATSH.