Arbëri

Zemaj emëron anëtarët e Bordit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka emëruar anëtarët e rinj të Bordit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, porse nuk janë publikuar emrat e tyre.

Përmes një njoftimi në Facebook, Zemaj thotë se kështu synohet fuqizimi i kapaciteteve profesionale.

“Emërova anëtarët e rinj të Bordit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Puna e Bordit, kompetencat dhe përgjegjësitë janë të rregulluara me udhëzimin administrativ. Bordi, në baza të rregullta, do t’i raportoj ministrit. Puna e tyre e pavarur, do ta ketë përkrahjen time të plotë”, shkroi Zemaj.

Sipas Zemajt, qëllimi i politikave të tyre është që të fuqizohen kapacitetet profesionale dhe shërbimet mjekësore brenda Kosovës, dhe për të rritur sasinë dhe cilësinë e shërbimeve ekzistuese.

“Prioritet në këtë drejtim është ulja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit deri në 50%. Kuadrit tonë të shkëlqyer shëndetësor, ju duhen kushte për ta realizuar këtë objektiv. Fondet buxhetore që do të kursehen, planifikojmë t’i shndërrojmë në investime për kuadrin tonë dhe pajisjet moderne. Për këtë prioritet, pres të kem edhe përkrahjen e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë”, tha ai.