Arbëri

MSH-ja heq përgjegjësinë nga rasti i Prishtinës

Ministria e Shëndetësisë ka hequr përgjegjësinë nga rasti i klubit të futbollit Prishtina, pasi tetë futbollistë i rezultuan pozitivë për koronavirus në testet në Gjibraltar, pak ditë pasi në Kosovë kishin rezultuar negativë.

Si pasojë e rezultatit pozitiv, klubi kosovar u detyrua të kthehet në Kosovë pa zhvilluar fare ndeshjen parakualifikuese në Ligën e Evropës.

Tash MSH-ja në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se nuk ka qenë e përfshirë në periudhën pas testimit të lojtarëve deri para shkuarjes apo qëndrimit në Gjibraltar.

“Ministria është njoftuar se futbollistët e KF Prishtina janë testuar para se të udhëtojnë në Gjibraltar në IKSHPK. Çfarë ka ndodhur pas testimit të kryer në IKSHPK para shkuarjes në Gjibraltar, qëndrimit atje, e deri te kthimi, kjo është një periudhë në të cilën MSH-ja nuk ka pasur ndonjë involvim. Pjesa e testimeve është çështje profesionale të cilën duhet lënë profesionistëve të fushës përkatëse për ta shpjeguar, para se të bëhen lloj-lloj konkludimesh të pasakta”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkohë, Prishtina të martën në mbrëmje me të arritur në Kosovë kishte paralajmëruar se do të testohet sërish në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, pasi asnjë futbollist nuk kishte ndjerë simptoma. Të gjithë futbollistët janë ritestuar në Kosovë, ndërsa mësohet se ende s’i kanë marrë rezultatet.