Arbëri

Të enjten mblidhet koalicioni qeverisës

Të enjten rreth orës 15:00 do të mblidhet koalicioni qeverisës.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka konfirmoi për KOHËN se kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj do të jetë nesër në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai tha se në takim do të jenë të pranishëm edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa e ai i Nismës, Fatmir Limaj.

Ai nuk ka treguar se për cilat tema do të mblidhet koalicioni për të diskutuar, ndonëse, Blaka u pyet edhe nëse çështja e postit të presidentit do të jetë temë që do të mbledh liderët shtetërorë.

Ndërkohë, edhe zëdhënësi i Qeverisë Xhavit Beqiri e ka konfirmuar takimin por pa dhënë detaje.

Edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa e konfirmoi se do të marrë pjesë në takimin me parterët e koalicionit. Mustafa për Kohën ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij derisa nuk ka treguar se cila është arsyeja e këtij takimi dhe koha kur do të mbahet.

"Po, unë do të marrë pjesë. Për kohën do të merrem vesh me parterët e tjerë të koalicionit", ka thënë shkurt Mustafa.

Kohëve të fundit janë parë përçarje mes koalicionit qeverisës, duke nisur nga tema e dialogut e deri te rasti i fundit në Karaçevë. Megjithatë, nga LDK-ja e AAK-ja e kanë minimizuar dhe edhe e kanë mohuar një gjë të tillë.