Arbëri

Deliu-Kodra: Nuk kemi diskutuar për përfshirjen e PDK-së në koalicionin qeverisës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka mohuar se kjo parti po diskuton mundësinë e përfshirjes në koalicionin qeveritar.

Ajo në Interaktiv të KTV-së tha se një ide e tillë nuk është diskutuar nga asnjë nga organet e partisë, porse në çdo rast fillimisht kjo çështje do të diskutohet brenda partisë.

“Do të ketë diskutime nëse ka ndonjë ide të përfshirjes sonë. Nuk është diskutuar deri tani dhe s'ka ndonjë opsion të përfshirjes si subjekt politik ndonjë format qeveritar, por nëse do të ketë ndonjë lëvize sigurisht se këshilli drejtues, kryesia dhe organet e PDK-së do ta thonë qëndrimin e saj. Në organet tona nuk është diskutuar sepse nuk ka ndonjë lëvizje dhe nuk ka ndonjë ide që ne të përfshihemi, përveç këtyre deklaratave që ne i kemi dëgjuar”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra thotë se PDK-ja e ka bërë të qartë se do të qëndrojë si parti opozitare brenda kësaj legjislature.

“E kemi qartësuar më 6 tetor që PDK-ja do të jetë opozitare. Kemi dalë subjekti i tretë politik në zgjedhjet e 6 tetorit dhe ashtu siç kemi marrë mbështetjen, jemi përcaktuar që të jemi parti opozitare, po mundohemi që ta luajmë rolin tonë konstruktiv dhe opozitar brenda kësaj legjislature”, ka shtuar ajo.