Arbëri

Countryman: Hoti dhe Vuçiqi s’kanë gatishmëri për marrëveshje në Washington

Kosova dhe Serbia nuk janë të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, në Washington në takimin e 2 shtatorit, thotë ish-zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.

Duke komentuar takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Countryman thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit.

Ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.

“Gjëja e parë që është e rëndësishme të kuptohet është që i vetmi prioritet për Shtëpinë e Bardhë këto ditë është rizgjedhja e presidentit (të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump. Ajo çfarë Shtëpia e Bardhë po synon, është një mundësi për një fotografi, ku presidenti do të mund të pretendonte një sukses të politikës së jashtme, pasi ai ka pasur zero suksese në politikën e jashtme në tre vite e gjysmë. Por, unë nuk shoh që (presidenti serb) Aleksandar Vuçiq dhe (kryeministri i Kosovës) Avdullah Hoti kanë vullnet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje kuptimplotë në takimin e Shtëpisë së Bardhë”, tha Countryman.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në REL