Arbëri

Hoti kërkon që Plani i higjienës së shkollave kundër COVID-19 të jetë i qartë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim virtual me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.

Në takim pos që është diskutuar për tri opsionet për fillimin e vitit të ri shkollor, u diskutua edhe Plani i higjienës së shkollave kundër COVID-19.

Hoti ka kërkuar që kriteret dhe udhëzimet për respektimin e masave mbrojtëse nga infeksoni të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të qarta, që nxënësit, mësimdhënësit, personeli administrativ dhe ndihmës në shkolla ta kenë më të lehtë t’i zbatojnë.

Hoti po ashtu ka kërkuar që MASH-i dhe Departamentet Komunale të Arsimit të përcaktohen me kohë se sipas cilit opsion do të organizohet procesi mësimor në secilën komunë, në mënyrë që drejtoritë dhe mësimdhënësit t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit shkollor.

Likaj paraqiti kornizën e kushteve të veçanta për zhvillimin e procesit mësimor brenda hapësirave shkollore, rregullat e organizimit dhe të menaxhimit të mësimit në klasë, si dhe veprimet që duhet të ndërmerren, në rast se sëmuret ndonjë nxënës apo ndonjë anëtar i stafit shkollor.

Në takim u vendos që kriteret dhe udhëzimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të miratohen si vendime nga Qeveria e Kosovës dhe, si të tilla, t’u shpërndahen Departamenteve Komunale të Arsimit.