Arbëri

Komisioni Hetimor për procesin e privatizimit miraton listën e dëshmitarëve

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka miratuar listën e dëshmitarëve. Kjo listë përfshinë gamë të gjerë njerëzish me ish funksione publike dhe private që ndërlidhen me privatizimin. Ani pse nuk u bë publike lista me emra për secilin që do të dëshmojë, ish- ministra të ekonomisë, ish-kryesues të AKP-së, të bordit, ish-përfaqësues të huaj në Kosovë do të dëshmojnë para këtij komisioni.

Kryetari i Komisionit, Hajrullah Çeku tha se lista është bazuar në strukturën dhe kategoritë e dëshmitarëve për punën e komisionit. Kjo, sipas tij nuk nënkupton se është listë përfundimtare.

Anëtarja e Komisionit nga LDK-ja, Doruntinë Maloku, kërkoi përfshirjen edhe të ish-ministrit, Bujar Dugolli, e largimin e Naser Osmanit, që sipas saj për çështje të privatizimit është një proces gjyqësor karshi tij.

Por kjo u kundërshtuar nga deputeti i LVV-së, Liburn Aliu i cili kërkoi interpretim ligjor zyrtar për këtë çështje.

Kurse deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha u shpreh se në këtë listë të dëshmitarëve duhet të largohet ish-kryesuesi i AKP-së, Blerim Rexhaj dhe ish-përfaqësuesi i huaj në Kosovë, Andrea Capusela.

Ndërsa, sa i përket përzgjedhjes së listës së ekspertëve do të vendoset në mbledhjet e ardhshme./KSP