Arbëri

Në fluturimin Shkup – Turku, ku rezultuan 24 të infektuar me koronavirus, ishin 95 kosovarë

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në fluturimin Shkup – Turku, ku gjatë një testimi vullnetar 24 persona kishin rezultuar pozitivë me koronavirus, ishin 157 pasagjerë, prej tyre 95 me pasaportë nga Kosova.

Autoritetet finlandeze të hënën kanë vendosur të ashpërojnë masat pas rastit me fluturimin nga Shkupi për në Turku.

“Ministria e Shëndetësisë pasi ka shikuar informatat me shërbimet e aeroportit të Shkupit, policinë kufitare, informon se janë udhëtarë që po vijnë në Maqedoni të Veriut, apo po kalojnë tranzit për arsye të ndryshme, e më pas po kthehen për të punuar në Evropë Perëndimore, ku me leje banimi apo shtetësisë të BE-së nuk vlejnë kufizimet për hyrje e dalje nëpërmjet rrugëve tokësore. Sipas të dhënave që kemi marrë nga fluturimi në fjalë, shumica e pasagjerëve udhëtuan me pasaporta të Kosovës (95), pasaporta finlandeze (60), dhe të tjerët me pasaporta maqedonase (2) dhe nga një shqiptare, bullgare, estoneze dhe suedeze”, thuhet në njoftimin. “Ministria e Shëndetësisë do të marrë informata nga autoritetet finlandeze, për 24 pasagjerët që kanë rezultuar pozitivë dhe do të informojë. Po ashtu Instituti i Shëndetësisë Publike po punon të shikojë nëse ndonjë prej pasagjerëve nuk ka respektuar masën e vetizolimit në Maqedoni. Pasi të marrim informatat do të njoftojmë”.