Arbëri

Ambasadorja e BE-së: Në Shqipëri ndjehem shumë mirë - populli fuqishëm mbështet dekriminalizimin

Gazeta “Jutarnji list” e Kroacisë sjell në numrin e së dielës një intervistë me Ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin, e cila flet për atmosferën e krijuar në Shqipëri pas ligjeve për dekriminalizim dhe akuzave që i bëhen asaj dhe Ambasadorit Amerikan Donald Lu nga disa qarqe të caktuara të interesit.

Kjo gazetë shkruan se kur Vllahutin ishte zgjedhur nga Brukseli për këtë post, fakti se vjen nga Kroacia, ishte konsideruar si përparësi pasi Kroacia kishte kaluar rrugën që tash po e kalon Shqipëria në procesin e integrimeve në BE.

Vllahutin thotë se në draftimin e ligjeve që janë miratuar në Shqipëri e të cilat e kanë për qëllim luftën kundër krimit dhe korrupsionit kanë ndihmuar edhe ekspertë kroatë, përfshirë edhe kryeprokurorin Cvitan.

Ajo i quan si “të ekzagjeruara” shkrimet se është e kërcënuar me jetë dhe thotë se në Shqipëri “ndjehet shumë mirë”.

“Unë ndjehem shumë mirë në Shqipëri. Titujt se më kërcënojnë me vrasje janë të ekzagjeruar. Megjithatë, për shkak të qëllimeve të qarta të disa grupeve të caktuara të interesit për tu përpjekur për të na frikësuar, janë ndërmarrë disa masa të kujdesit”, ka thënë ajo, transmeton Koha.net.

Duke u përgjigjur në pyetjen se pse ka shkaktuar aq shumë termet politik në Shqipëri ligji për dekriminalizimin, Vllahutin ka thënë: “Shqipëria në dy vitet e fundit ka kaluar një reformë historike në drejtësi, që ka rezultuar me ndryshimet e Kushtetutës dhe 40 ligjeve të cilat në tërësi ose pjesërisht është dashur t’i përshtaten ndryshimeve kushtetuese. I ashtuquajturi Ligji për dekriminalizim i ka paraprirë votimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën e drejtësisë dhe ka të bëjë me ndalimin e punësimit në shërbimet publike dhe pjesëmarrjen në zgjedhje, apo të ushtrimit të detyrës për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, më saktësisht të atyre që kanë vendime të plotfuqishme të gjykatave për vepra kriminale”.

“Reforma e drejtësisë ka qenë vërtetë një punë e madhe, ajo e ndryshon tërësisht një sistem i cili është jashtëzakonisht i korruptuar, dhe sjell një varg institucionesh të reja. Njëra prej tyre është ajo e prokurorit special për krim dhe korrupsion”, sqaron më tej Vllahutin në gazeta të Zagrebit.

Në veçanti Vllahutin përmend vettingun si pjesë të kësaj reforme. “Kjo është verifikimi i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve në mënyrë që të verifikohet nëse kanë ndonjë pasuri të krijuar në mënyrë të paligjshme, kanë lidhje me grupe të krimit apo janë apo joprofesionalisht të aftësuar për atë punë”, thotë ajo, duke shtuar se “vettingu gjithsesi është një kërcënim serioz i grupeve të interesit të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, prandaj edhe ka rezistencë të ashpër ndaj këtij vettingu”.

“Flasim për drejtësinë ku, për shembull, Kryeprokurori shtetëror është ende personi të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë hequr vizën për të hyrë në atë vend, sikur edhe rrethit më të ngushtë të bashkëpunëtoreve të tij”, ka thënë Romana Vllahutin.

Ajo ka shprehur kënaqësinë se qytetarët e Shqipërisë tërë kohën kanë shprehur mbështetje të fuqishme për reformën në drejtësi dhe shifrat e fundit flasin për një mbështetje prej 93 %.

“Gjendja e drejtësisë në Shqipëri ka qenë e padurueshme dhe Shqipëria nuk ka pasur zgjidhje tjetër”, thotë ajo, transmeton Koha.net.

Romana Vllahutin i përgjigjet dhe pyetjeve për akuzat që dëgjohen ndaj saj nga një pjesë e mediave dhe spektrit politik, përfshirë edhe se ajo ka manipuluar në blerjen e ndërtesës së rezidencës për nevojat e BE-së në Tiranë.

“Kjo është edhe një prej aferave të trilluara apo, siç thonë sot “fake news” me të cilat jemi të përballur në Tiranë unë dhe Ambasadori Amerikan”, thekson ambasadorja Vllahutin duke shtuar se “disa politikanë shqiptarë bëjnë çmos për të futur diplomatët ndërkombëtarë dhe bashkësinë ndërkombëtare në konfliktet e tyre të brendshme politike si alibi për gabimet e tyre”.

“Nganjëherë kam ndjenjën se kjo gjë është një nga pasojat e regjimit të tmerrshëm të Enver Hoxhës kur njerëzve u shpëlahej truri në mënyrë që të huajt të paraqiten si armiqësorë që kanë qëllime të fshehta. Por, për dallim nga një numër relativisht i vogël njerëzish, shumë agresivë dhe të lidhur në rrjete të grupeve politike e kriminale, populli i Shqipërisë është shumë i hapur dhe mikpritës, posaçërisht ndaj të huajve”, thotë Vllahutin.

Ajo thotë se ka qenë në shënjestër të akuzave dhe ofendimeve të ndryshme, përfshirë edhe se “nuk i kreh flokët”.

“Ambasadori Amerikan dhe unë deri tash jemi akuzuar për gjithçka, nga ajo se i shërbejmë Sorosit dhe krimit të organizuar e korrupsionit. Unë personalisht jam akuzuar edhe se jam e vendosur këtu nga kush e di se kush, se nuk i kreh flokët, se burri im punon në një projekt të hekurudhës në Mal të Zi. Shumë gjëra bizare me të cilat tashmë jam mësuar dhe nuk kthej kokën”, shprehet ajo.

Vllahutin hedh poshtë edhe akuzat për mashtrim dhe korrupsion në blerjen e rezidencës së BE-së në Tiranë.

“Ky tregim me rezidencën e BE-së koincidon me ditën e nisjes së vettingut dhe është i bazuar krejtësisht në qëllimin e dikujt për ta paraqitur këtë si punë të dyshimtë. Kushdo që di diçka për prokurimin publik në BE e ka të qartë se me aq shumë kontrolle dhe nivele që duhet të kalojnë vendimin para se të merret ai përfundimtar, thjeshtë nuk është e mundur që një person mund të bëj në mënyrë të pavarur diçka. Ajo që është më bizare në këtë tregim është se “gazetarët” që kanë plasuar këtë lajm nuk janë munduar të verifikojnë faktet themelore, si për shembull se i tërë procesi i përzgjedhjes së ndërtesës dhe negociatat ishin kryer me disa muaj para se unë të isha caktuar të jem ambasadore e BE-së, se negociatat i ka udhëhequr kolegu im i cili vetëm për këtë ishte dërguar nga Brukseli dhe se Parlamenti Evropian ishte i përfshirë në këtë proces të verifikimit”, thotë Vllahutin.