Arbëri

Sindikalistët e shëndetësisë i bëjnë thirrje kryeministrit të mos bëjë diskriminime

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i është drejtuar me një letër kryeministrit, Avdullah Hoti, të cilit i është kërkuar që në shtesa prej 300 euro të përfshihen të gjithë punëtorët shëndetësorë në sektorin publik, jo vetëm mjekët e infermierët.

Nga FSSHK-ja është thënë që të mos bëhen diskriminime, pasi çdo diskriminim mund të përdoret si shkas për të reaguar me gjitha mjetet juridike dhe sindikale.

“Pas publikimit të Vendimit të Qeverisë me nr. 05/18 të datës 29.07.2020 në lidhje me aprovimin e shtesave mbi pagë në vlerë prej treqind(300 €) për punëtorët shëndetësor në sektorin publik, kemi vërejtur se nuk janë përfshirë përsëri të gjithë përfituesit, sepse në institucione shëndetësore nuk punojnë vetëm mjekët e infermierët por edhe stafi përcjellës duke përfshirë: punëtorët e shërbimeve teknike, bartësit, vozitësit, sigurimi, sanitarët, IT, punëtorët administrative të institucioneve shëndetësore dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, inspektorët shëndetësor dhe gjithë të tjerët. I nderuari Kryeministër, duke ju rikujtuar edhe njëherë se sistemi shëndetësor funksionon në mënyrë zinxhirore ju lutem mos bëni diskriminim. Merreni me seriozitet këtë kërkesë që mos të shkëputet ndonjë hallkë e këtij zinxhiri në shëndetësi duke e plotësuar Vendimin edhe me pjesën tjetër të stafit në pajtueshmëri të plotë me vartësit e institucioneve shëndetësore. Çdo diskriminim eventual i juaji nga FSSHK do të përdoret si shkas për të reaguar me të gjitha mjetet juridike ligjore dhe sindikale”, është shkruar në letrën.