Arbëri

Policisë në Shqipëri i shtohen 500 djem e vajza

Policisë së Shtetit i janë shtuar 500 djem dhe vajza, të cilët i kanë sjell energji dhe entuziazëm të ri organizatës. Në ceremoninë e zhvilluar këtë të enjte, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu shprehet se mbi 3 mijë djem e vajza janë bërë pjesë e Policisë gjatë këtyre viteve, duke bërë që qytetarët të kenë një perceptim dhe vlerësim më pozitiv për Policinë.

”Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për Policinë e Shtetit, pasi ju sot kurorëzoni përfundimin me sukses të Programit të Shkollimit në Kolegjin e Policisë dhe filloni rrugëtimin tuaj në këtë mision sa fisnik aq edhe të vështirë, ndërsa Policisë së Shtetit i bashkohet një ekip i ri, i trajnuar dhe shkolluar, i cili do t’i japë një impuls më shumë punës që po bëhet nga organizata e Policisë në luftën kundër krimit, si dhe do të rrisë performancën dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Policia e Shtetit, vit pas viti i është nënshtruar një procesi të gjerë reformimi, duke filluar me shkollimin, pasi ne jemi të bindur se me një trupë policore të shkolluar dhe të trajnuar fitojmë besimin e qytetarëve duke iu ofruar një shërbim sa më cilësor, si dhe në ndryshime strukturore, të cilat i kemi përshtatur me nevojat që kanë qytetarët për prezencën e policisë në zonat ku ata banojnë.

Këto dy komponentë të rëndësishëm përbëjë edhe termin “Policimi në Komunitet” që është dhe modeli më i përparuar dhe më i suksesshëm. Vitet e fundit, falë vlerësimit, investimit dhe vëmendjes së shtuar të qeverisë e në mënyrë të veçantë të Kryeministrit të vendit, Edi Rama, roli, kuptimi, pritshmëria dhe performanca e punonjësve të Policisë së Shtetit kanë ndryshuar tërësisht. Mbi 3 mijë djem e vajza janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit gjatë këtyre viteve, duke bërë që qytetarët të kenë një perceptim dhe vlerësim më pozitiv për Policinë”.