Arbëri

Vuçiqi komenton idenë e tij për demarkim: Ishte qëndrim racional

Foto: Facebook

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq thotë se duhet guxim i madh të hapej një temë si ajo për demarkimin, siç ka thënë ai shqiptarëve dhe serbëve.

Vuçiq në një intervistë të dhënë sot për portalin “Pavlovic Today” me seli në Washington, ka pohuar se është sulmuar, por ngul këmbë se ishte qëndrim racional.

“Kur kam folur për demarkim mes shqiptarëve dhe serbëve, mendoj se ka qenë një qëndrim racional. Por e gjithë bota kërceu mbi mua, pasi nuk e kuptuan se sa shumë guxim duhet për t’u thënë kjo gjë”, tha Vuçiq.

Këtë e ka thënë duke komentuar deklaratën e John Boltonit, ish-sekretarit amerikan për siguri shtetërore, se ekzistonte ideja për ndarje të Kosovës.

Vuçiq ka folur edhe për takimet në Shtëpinë e Bardhë me Robert O’Brianin dhe Richard Grenellin.

“Për herë të parë kemi folur për gjithçka që po u ndodh serbëve dhe Serbisë në një atmosferë joburokratike. Kemi folur për gjëra që zakonisht bëhen raporte dhe askush nuk u dëgjon”, tha ai, përcjell B92.net.